Lidhje

Senatori Xhon Kerri do të shkojë në Pakistan, ndërkohë që SHBA shton ndihmat për këtë vend


Departamenti amerikan i Shtetit thotë se kryetari i komisionit të Senatit për marrëdhënie me jashtë javën tjetër do të vizitojë Pakistanin për të parë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në vend. Senatori Kerri është sponsorizuesi kryesor i planit afatgjatë të Shtetetve të Bashkuar për ndihmë civile për Pakistanin që është miratuar nga Kongresi amerikan vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dhjetëra punonjës civilë e ushtarakë të ndihmave dhe ekspertë në Pakistan, por Senatori Kerri do të jetë figura e nivelit më të lartë të politikës amerikane që do të vizitojë vendin që nga fillimi i përmbytjeve muajin e kaluar.

Senatori Kerri ishte një nga dy sponsorizuesit e programit pesë vjeçar prej 7,5 miliardë dollarësh për ndihmë civile për Pakistanin, program që u miratua vitin e kaluar nga Kongresi.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thonë se vizita e Senatorit Kerri ka për qëllim sensibilizimin e publikut amerikanë për nevojat humanitare të Pakistanit dhe për të diskutuar mënyrat se si plani për ndihma, Kerri-Lugar-Berman, mund të rikalibrohet për të përmbushur nevojat a dala nga përmbytjet.

Departamenti i Shtetit dje tha se angazhimi financiar i Amerikës për përmbytjet në Pakistan ka arritur në 76 milionë dollarë dhe se po zhvillohen diskutime se si programi Kerri-Lugar-Breman mund të ndihmojë rimëkëmbjen e Pakistanit nga përmbytjet.

Në një konferencë shtypi, drejtori në detyrë i ndihmave për vendet që përjetojnë fatkeqësi natyrore i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Mark Ward, tha se angazhimi i komunitetit botëror për Pakistanin duhet të vazhdojë edhe pas kullimit të ujërave.

“Shtetet e Bashkuara do të qendrojnë atje edhe pas përfundimit të përmbytjeve. Dhe ne do të përdorim të gjitha burimet për të bindur vendet e tjera të punojnë me ne atje. Fondi Kerri-Lugar-Berman është i fuqishëm dhe njerëzit tanë në Pakistan do të vendosin se si do t’i shpenzojnë paratë e këtij fondi dhe tani duhet t’i rishikojnë planet për shkak të përmbytjeve. Pothuajse të gjitha ato që ata kanë planifikuar, si përmirësimi i gjendjes energjetike, furnizimi me ujë, infrastruktura, janë ndikuar nga përmbytjet”.

Zyrtarët amerikanë po kërkojnë më shumë kontribute ndihmash për përmbytjet në Pakistan nga kompanitë amerikane dhe qytetarët amerikanë.

Zëvendës përfaqësuesi i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Pakistanin dhe Afganistanin, Dan Feldman, tha se fatkeqësitë e papritura natyrore si cunami i viti 2004 në Azinë Lindore dhe tërmeti i vitit 2005 në Pakistan kanë gjeneruar më shumë kontribute të menjëhershme.

Zoti Feldman thotë se gjendja e dobët ekonomike në botë dhe e ashtuquajtura lodhje e donatorëve pas tërmetit të këtij viti në Haiti përbëjnë problem, por ai tha se ngritja e fondeve për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet në Pakistan duhet të rritet ndërkohë që përmasat e dëmëve dhe humbjeve po qartësohen.

“Kjo ngjarje është e ndryshme. Është një fatkeqësi që do të rritet dhe u merr kohë njerëzve të kuptojnë pasojat e përmbytjeve, veçanërisht kur kemi parasysh se natyra e pasojave të këtyre përmbytjeve mund të jetë e menjëhershme, afatmesme dhe afatgjatë”.

Dy helikopterët e parë amerikanë, nga 19 sa janë porositur këtë javë nga sekretari i mbrojtjes Robert Gates për Pakistanin, arritën dje në një bazë ajrore në Islamabad.

Ata do të zëvendësojnë 6 helikopterët amerikanë dhe ekuipazhin e tyre që kanë shkuar disa ditë më parë nga Afganistani në Pakistan dhe cilët kanë ndihmuar në shpëtimin e më shumë se 3 mijë njerëzve.

XS
SM
MD
LG