Lidhje

SHBA-Rusi, arrihet traktati i ri për armët bërthamore


SHBA-Rusi, arrihet traktati i ri për armët bërthamore
SHBA-Rusi, arrihet traktati i ri për armët bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia arritën një traktat të ri për armët strategjike. Presidentët e dy vendeve biseduan sot paradite në telefon rreth traktatit çka shënoi edhe arritjen e marrëveshjes. Marrëveshja e re do t’i shërbejë Presidentit Obama për t’i dhënë tonin takimit të nivelit të lartë për çështjet bërthamore që do të mbahet në Uashington më 12 dhe 13 prill. Arritja e marrëveshjes u bë me negociata të vështira por probleme të tjera mund të lindin gjatë procesit të ratifikimit në Senatin amerikan.

Para se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik të nënshkruanin Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore START 1 në vitin 1991, të dy vendet kishin dhjetra mijë mbushje bërthamore. Traktati kërkonte redukrimin e tyre në vetëm 6000.

Në përpjekje për një start të ri në marrëdhëniet e tensionuara me Moskën, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton premtoi të punojë nga afër me Rusinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shkurtime të tjera. Ajo komentoi në Gjenevë, 9 muaj para se traktatit START 1 t’i mbaronte afati në dhjetor 2009.

"Ka shumë punë për të bërë. Ne mendojmë se ky është start i ri jo vetëm për të përmirësuar marrëdhëniet tona dypalëshe por edhe për ta udhëhequr botën në fusha të rëndësishme, sidomos përsa u përket armëve bërthamore dhe sigurisë bërthamore."


Gjatë vizitës së tij në Moskë në muajin korrik, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të udhëheqin me shembullin e tyre për pakësimin e kërcënimit të armëve bërthamore. Më pas ai raportoi se ishin bërë hapa përpara drejt këtij objektivi megjithëse Traktatit START 1 i kishte mbaruar afati.

Analisti rus, Viktor Litovkin, ndihmës editor i Revistës së Pavarur Ushtarake, thotë se marrëveshja u vonua për shkak të disa problemeve.

"Së pari këto ishin probleme të verifikimit, transparencës dhe të kontrollit. Një pengesë tjetër ishte padyshim lidhja mes armëve strategjike mësymëse dhe atyre mbrojtëse."

Marrëveshja e re pritet t’i pakësojë mbushjet bërthamore të dy vendeve në shifrën 1,500 për secilin.

Edhe sistemet e hedhjes, si raketat dhe bombarduesit, do të kufizohen në numër.

Moska shprehu shqetësim gjatë gjithë procesit të negocimit se një sistem amerikan i mbrojtjes nga raketat në Europën Qendrore i propozuar nga administrata Bush do të neutralizonte armët mësymëse të Rusisë. Kjo megjithë sigurimet e dhëna nga Uashingtoni se sistemi synonte mbrojtjen nga raketat iraniane. Presidenti Obama e rikonfiguroi sistemin e propozuar dhe i lëvizi më pranë Iranit elementët e këtij sistemi.

Ratifikimi i Traktatit do të kërkonte 67 vota në Senatin amerikan. Duke mbajtur parasysh kundështimin e republikanëve ndaj çdo marrëveshjeje që do të kufizonte mbojtjen nga raketat në Europë, negociatorët amerikanë njoftohet se i kanë bërë mjaft presion homologëve të tyre rusë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov e siguroi Sekretaren Klinton në Gjenevë vitin e kaluar se vendi i tij ndan të njëjtin synim për mospërhapjen e armëve, duke përfshirë këtu Iranin dhe gadishullin korean.

Për ratifikimin e Traktatit START të vitit 1991 u deshën më shumë se 400 ditë. Por cilido qoftë fati i traktatit të ri START, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon e karakterizoi kështu rëndësinë e madhe të një pakti të tillë:

"Kjo do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv mbi samitin e Uashingtonit për çarmatimin bërthamor si dhe mbi konferencën mbi Traktatin e Mospërhapjes që do të mbahet në muajin maj në Nju Jork."

Suksesi i kësaj konference, tha zoti Ban, mund të ndihmojë botën të jetojë larg frikës së armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG