Lidhje

SHBA: Sivjet zhvillohet procesi i numërimit të popullsisë


SHBA: Sivjet zhvillohet procesi i numërimit të popullsisë
SHBA: Sivjet zhvillohet procesi i numërimit të popullsisë

Themeluesit e Amerikës vendosën që numërimi i popullsisë të bëhej çdo 10 vjet. Për këtë dekadë, regjistrimi është duke u kryer këto ditë. Banorëve në të gjithë vendin u është kërkuar të japin të dhëna për veten. Në reportazhin në vazhdim do t’ju flasim për transformimet që kanë ndodhur në Charlotte të Karolinës së Veriut. Këto transformime që do të pasqyrohen në numërimin e sivjetshëm të popullsisë pritet të tregojnë ndryshimet dramatike që ka përjetuar Amerika gjatë 1 dekade:

Kjo zonë njihej më parë për kullotat dhe pamjet piktoreske. Por gjatë dekadës së fundit ka ndryshuar. Charlotte është bërë një qendër e rëndësishme financiare dhe është zgjeruar. Rritja e sektorit të ndërtimeve tërhoqi imigrantë të shumtë në zonë.

Aktivistja e komunitetit latin Angeles Ortega Moore na njeh me lagjet e ndryshuara në Charlotte:

“Dikur kjo ishte një lagje me të ardhura të mesme deri të larta. Ishte një zonë shumë tërheqëse për të jetuar. Gradaualisht u shndërrua në formën e sotme, përbërja demografike ndryshoi dhe tani është lagje që tërheq latinot dhe ka një përqindje të madhe afrikano-amerikanë”.

Popullsia latine në Charlotte është rritur më shumë se 2 herë dhe janë shtuar edhe pakicat e tjera.

“Tani kemi filluar të shohin tabela në spanjisht. Kjo është qoshja e salvadorianëve. Kjo zonë ka nga Lindja e Mesme, më poshtë meksikania dhe një restorant vietnamez”.

Zonja Ortega Moore thotë se imigrantët fillimisht ishin të mirëpritur:

“Kur filloi të ndryshojë përbërja demografike, filluan të shfaqen nevoja të reja në komunitet si për arsimin, për shërbime. Atëherë njerëzit filluan ta dallojnë ndryshimin dhe filluan të shprehin kundërshtim: ‘Pse na kërkohet të paguajmë më shumë taksa’.”

Ajo thotë se shpreson që numërimi i popullsisë do të ndihmojë të sjellë burime të reja në zonë. Numërimi i popullsisë nuk shërben vetëm për të krijuar zona të reja elektorale për Kongres, por edhe për të shpërndarë qindra miliarda dollarë për rrugë, shkolla dhe spitale të reja.

Zyra Amerikane e Regjistrimit të Popullsisë ndodhet pranë Uashingtonit. Shefi i Divizionit të Menaxhimit, Frank Vitrano ka punuar prej vitesh për të organizuar numërimin e sivjetshëm:

“Vetë formulari ka vetëm 10 pyetje, por janë pyetje të rëndësishme për moshën, racën, seksin, origjinën hispanike. Këto të dhëna na shërbejnë për të kuptuar se ç’formë ka aktualisht vendi, si po plaket popullata, ku është e përqendruar gjeografikisht popullsia?”

Për ta bërë këtë, Zyra e Regjistrimit të Popullsisë ka shtypur 130 milionë kopie të formularit dhe i ka postuar në të gjithë Amerikën dhe po zhvillon një fushatë të madhe informative.

Zyra ka dërguar njerëz në të gjithë Amerikën për të shpjeguar procesin. Këtu në Charlotte, jo të gjithë i shohin si pozitive ndryshimet e dekadës së fundit:

“Kur erdha këtu, ishte më mirë. Tani kemi dyndje të madhe njerëzish nga të gjitha anët,” thotë ky banor.

“Po të mos jesh nga Charlotte nuk di të orientohesh. Po të lanë këtu vetëm 5 minuta nuk e gjen më rrugën,” shprehet një tjetër banor.

Zyrtarët e regjistrimit të popullsinë thonë se është me rëndësi të numërohen të gjithë. William Frey është demograf në Institutin Brookings në Uashington:

“Ekziston një kuriozitet i brendshëm tek amerikanët dhe numërimi i popullsisë shihet si një shans fantastik për statistika, pra për të marrë këtë informacion”.

Charlotte është një pasqyrë e ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë 10 vjetëve të fundit në Amerikë.

XS
SM
MD
LG