Lidhje

Ban Ki-moon shqyrton të gjitha alternativat për të hetuar operacionin izraelit komando


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha se po shqyrton të gjitha alternativat për të hetuar operacionin izraelit komando për të ndaluar një flotilie me ndihma humanitare që të hynte në Rripin e Gazës. Ky operacion përfundoi me vdekjen e 9 aktivistëve pro-palestinezë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së zbriti nga aeroplani prej një udhëtimi në Afrikë dhe menjëherë zhvilloi takime të veçanta me ambasadorët e Izraelit, Turqisë dhe shteteve arabe si dhe me ambasadorët e 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më pas ai u tha gazetarëve se ishte gati të merrte masat e domosdoshme për të filluar një hetim të hollësishëm se çfarë ndodhi në anijen, që fluturonte me flamurin turk. Por ai tha se do ta ndjekë këtë çështje me kujdes dhe do të diskutojë me të gjitha palët e angazhuara, para se të marrë një vendim se si do të vazhdohet.

"Procesi hetimor duhet të jetë i besueshëm dhe të mbështet nga të gjitha palët e angazhuara. Kemi të bëjmë me një çështje shumë të ndjeshme madje edhe të vështirë, prandaj jam ende në procesin e këshillimeve. Do të përpiqem ta bëj këtë hetim sa më të paanshëm, sa më të besueshëm dhe sa më transparent që të jetë e mundur".

Zoti Ban shtoi se ekzistojnë disa alternativa për të bërë hetimit, por ai nuk pranoi të jepte hollësi. Ai u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të japin sa më shpejt hollësi të të gjitha ngjarrjeve, që kanë lidhje me incidentin, përfshirë informacionin rreth të ndaluarve, të plagosurve dhe të vrarëve.

Ai e vuri gjithashtu theksin tek vendimi i Këshillit për të drejtat e njeriut me bazë në Gjenevë për të dërguar një mision ndërkombëtar për gjetjen e fakteve në rajon për të shqyrtuar mundësinë apo jo të shkeljeve të ligjit ndërkombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha se dhuna në bordin e anijes turke mund të ishte shmangur nëse Izraeli do t’u kishte kushtuar vëmendje thirrjeve të mëparshme për të hequr një bllokadë 3-vjeçare, e cila ka bërë që artikuj bazë të mos arrijnë për 1.5 milion banorët e Gazës.

"Kjo tragjedi thjeshtë e vë theksin tek problemi serioz që ekziston. Mbyllja për një kohë të gjatë e kufirit me Rripin e Gazës është kundër produktive, e gabuar dhe nuk mund të vazhdojë. Ajo dënon civilët e pafajshëm, prandaj ajo duhet hequr menjëherë nga autoritetet izraelite".

Turqia dhe shtetet arabe kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar e të pavarur të operacionit izraelit komando në anijen Mavi Marmara, e cila ndodhej në ujrat ndërkombëtare kur komandot izraelite hynë në bordin e saj. Izraeli thotë se ushtarët vepruan në vetë-mbrojtje sepse pasegjerët i sulmuan komandot, që u lëshuan nga helikopterë për të hyrë në anije.

Të martën, Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm, të paanshëm, të besueshëm dhe transparent rreth incidentit. Disa vende anëtare të Këshillit thanë se kjo do të thotë që të zhvillohet një hetim i pavarur me element ndërkombëtarë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara thanë se Izraeli është i aftë të bëjë vetë hetimet.

XS
SM
MD
LG