Operacione të shumta policore në Shqipëri po zbulojnë se trafikantët e lëndëve narkotike synojnë të nxjerrin jashtë vendit, kryesisht drejt Italisë, Greqisë dhe Kosovës, sasi të marijuanës të kultivuar këtë vit në zona të ndryshme të vendit.
Policia Kufitare e Kakavijës arrestoi tre persona që po transportonin lëndë narkotike me një makinë drejt Greqisë.
Ndërsa në Vlorë, policia bregdetare tha se arrestoi mbrëmjen e së enjtes dy shtetas italianë dhe sekuestroi një motoskaf super të shpejtë, që dyshohet se do të transportonte drejt Italisë sasi marijuane.
Sipas burimeve policore, edhe në kufirin me Kosovën u ndaluan dy shtetas nga Kosova, të cilëve iu bllokuan 75 kilogramë marijuanë në automjetin që po kalonte Pikën Kufitare të Morinës.
Në zona të ndryshme të Shqipërisë sipas pohimeve të banorëve, trafikantët e marijuanës vazhdojnë të kontrollojnë territore në zona të thella.
Burimet policore vlerësojnë se moti i lagësht dhe me shira dhe sasitë e mëdha të kultivuara i kanë vënë trafikantët në vështirësi për ruajtjen e cilësisë së lëndës narkotike. Po sipas këtyre burimeve, në operacionet e ditëve të fundit në zonat e Vlorës dhe të Dibrës, ku u sekuestruan sasi te medha marijuane, janë sekuestruar edhe amatime.