Lidhje

Lejet e qëndrimit për emigrantët shqiptarë në Greqi


Emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë prej vitesh në Greqi do t`i nënshtrohen rregullave të reja për lejet e qëndrimit.

Autoritetet greke kanë njoftuar se prej 23 Shkurtit do të nisë pajisja e emigrantëve me lejet e reja të qëndrimit. Këto leje, ndryshe nga ato të mëparshmet, që ngjiteshin në pasaportë, janë në formën e kartës biometrike.

Lejet e reja përmbajnë të dhëna të aplikuesit dhe lëshohen për të gjithë emigrantët prej moshës 5 vjeç e sipër, të cilët bëjnë kërkesë për herë të pare apo ripërtërijnë lejen e tanishme. Leja e re e qëndrimit kushton rreth 20 dollarë dhe praktikat kryhen pranë Drejtorisë së Emigracionit.

Ndërkohë në fillim të prillit, Ministria greke e Emigracionit ka vendosur të nisë një tjetër proces, atë për lejet e jashtëzakonshme të qëndrimit. Rreth 20 mijë aplikime janë grumbulluar prej dy vitesh dhe pjesa më e madhe e tyre u përket emigranëtve shqiptarë. Nga ligji përfitojnë të gjithë ata emigrantë që në 10 vite kanë pasur 5 vite qëndrimi të ligjshëm në Greqi.

Ligji i ri u jep mundësi aplikimi për leje qëndrimi edhe prindërve që kanë lindur fëmijë në Greqi, ku njëri prej tyre ka pasur leje të rregullt qëndrimi. Emigrantët shqiptarë përbëjnë pjesën dërmuese të të huajve në Greqi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme greke, rreth 384.000 shqiptarë kanë përfituar lejet e qëndrimit nga rreth 553.000 emigrantë të huaj që ndodhen gjithsejt në Greqi. Në numrin e përgjithshëm të shqiptarëve përfshihen edhe rreth 43.000 emigrantë shqiptare që kanë fituar shtetësinë greke. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme greke, kategoria e emigrantëve që ka përfituar më në masë të madhe nga Lejet e Qëndrimit është ajo e Bashkimit Familjar. Kështu, në numrin e përgjithshëm rreth 120.000 emigrantë kanë marrë Lejet e Qëndrimit për Bashkim Familjar dhe rreth 92.000 janë pajisur me leje afatgjata dhjetëvjecare.

XS
SM
MD
LG