Lidhje

Gjykatësi i Vlorës, i përfshirë në hetimet për bizneset e familjes “Balili”


Hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” përfshin edhe një pagesë prej 47 mijë dollarësh, që një gjyqtar i Apelit të Vlorës deklaron se ka përfituar nga puna si konsulent ligjor pranë kompanive të familjes “Balili”. Materiali në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, është përgatitur nga gazetari Flamur Vezaj.

Hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur në kuadër të ligjit Antimafia ndaj të shumëkërkuarit Klement Balili ka vendosur nën prozhektor edhe një gjyqtar të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Gjatë një hetimi paralel të vitit 2015, gjyqtari Petrit Aliaj deklaroi se kishte punuar si konsulent ligjor për vëllezërit Balili dhe ishte paguar 47 mijë dollarë prej tyre.

Të dhënat e deklaruara nga gjyqtari Petrit Aliaj dhe aktet hetimore që lidhen me burimin e kësaj pagese pritet të bëhen pjesë e dosjes së hetimit pasuror për familjen e Balilit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej majit të vitit 2016 për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha BIRN-it se “pasi janë vënë në dijeni të faktit, kanë kërkuar pranë Prokurorisë së Elbasanit që të administrojnë deklaratën e pasurisë së gjyqtarit Aliaj si dhe hetimet e kryera mbi origjinën e 47 mijë dollarëve të përfituara prej tij”.

Petrit Aliaj u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 8 qershor 2015 për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit.

I kontaktuar me telefon nga BIRN, gjyqtari Petrit Aliaj refuzoi të komentonte lakimin e emrit të tij në hetimet për çështjen “Balili” si dhe rrethanat e punës së tij si konsulent ligjor.

“Nga organi i Prokurorisë janë kryer hetime të plota dhe të gjithanshme lidhur me pretendimet e ILDKP për pasurinë time dhe e njëjta përgjigje është edhe për pyetjet tuaja,” u përgjigj Aliaj.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në deklaratën e pasurisë së vitit 2006, gjyqtari Aliaj pati deklaruar se nga data 3 janar deri në 4 mars 2005 kishte përfituar 47 mijë dollarë nga puna e tij si avokat.

Në vitin 2009, gjyqtari Aliaj ka dhënë shpjegime pranë Inspektoriatit dhe e ka justifikuar këtë shumë parash me punën si konsulent i jashtëm ligjor pranë firmave Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të dyja me seli në Delvinë. Ai ka pretenduar gjithashtu se kishte punuar një vit për këto dy kompani dhe jo 3 muaj, siç kishte deklaruar më parë.

Aliaj ka paraqitur si provë dy vërtetime të lëshuara në janar dhe shkurt 2008 nga kompanitë Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të cilat zotërohen nga rrethi i ngushtë familjar i Klement Balilit.

Në vërtetime pranohet se Aliaj ka përfituar rrogë vjetore prej 24 mijë dollarësh për secilën kompani dhe se pagesa ishte bërë çdo muaj dorazi. Megjithatë, pagesa sipas tyre nuk është pasqyruar në Tatime apo Sigurimet Shoqërore.

Akuzat e ngritura nga ILDKPKI ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj u hetuan dhe më pas u rrëzuan nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendimin e Prokurorisë që BIRN e disponon, argumentohet se nuk provohet vepra penale nga ana e gjyqtarit.

Në vendimin e pushimit, Prokuroria arrin në përfundimin se Çështja e mosdeklarimit të aktivitetit të avokatit për periudhën përkatëse ekziston si problematikë, por e konsideron atë një lapsus material.

Përveç pagesës së mësipërme, gjyqtari Aliaj u akuzua edhe për fshehjen e burimeve financiare për ndërtimin e një vile në Sarandë, shkollimin e vajzës në Amerikë dhe një depozite në bono thesari në Bankën e Shqipërisë. Gjithashtu, gjyqtari dyshohet se kishte përdorur transaksione të dyshimta bankare dhjetra mijëra dollarëshe si garanci për të siguruar disa viza amerikane për veten dhe familjarët.

Pavarësisht deklaratave kontradiktore të dhëna gjatë viteve të ndryshme përballë inspektorëve të ILDKP, Prokuroria gjykoi se këto lloj deklarimesh nuk e ekspozojnë gjyqtarin përballë përgjegjësisë penale dhe vendosi të pushojë çështjen kundër tij.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG