Lidhje

Shpërthim në minierën e Bulqizës


Të paktën 10 punonjës u plagosën të shtunën në mesditë pas një shpërthimi që ndodhi në brendësi të galerisë, në nivelin16, në minierën e Bilqizës, në Veri të Shqipërisë.

Të plagosurit janë shtetas kinezë, të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm të minierës së Bulqizës. Burime vendore thonë se, tre prej të plagosurve janë dërguar në spitalin lokal të Bulqizës. Ndërkohë, dyshohet se në galeri gjenden të bllokuar edhe punonjës të tjerë, gjendja e të cilëve ende nuk dihet.

Shkak i këtij aksidenti të rëndë mendohet se është bërë shpërthimi i papritur i gazit metan në brendësi të nivelit 16.

Policia ndodhet në vendngjarje ku po kryen hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Gjithashtu, është njoftuar se strukturat e repartit të inspektim-shpëtimit në miniera janë nisur drejt Bulqizës, në ndihmë të minatorëve si dhe për të verifikuar gjendjen e sigurisë në këtë minierë.

Vitet e fundit, në një numër minierash në Veri të Shqipërisë, kanë ndodhur aksidente me pasojë humbjen e jetës së minatorëve. Në më të shumtën e rasteve, aksidentet kanë ndodhur për shkak të kushteve të papërshatshme të punës në këto miniera, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe periudhës së regjimit komunist.

XS
SM
MD
LG