Lidhje

Opozita: Ligji Antimafia dhe për korrupsionin në ekonomi


Shqipëri: Opozita paraqet projekt për masa kundër korrupsionit në ekonomi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Në Shqipëri, opozita paraqiti sot projektin që synon të shtrijë masat e parashikuara në ligjin antimafia edhe në ekonomi, ndaj personave privatë dhe zyrtarëve publikë përfshirë në afera korruptive, që me projektet e Partneritetit Publik Privat deri te koncesionet apo tenderat. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, masa të tillë drastike janë të nevojshme në një situatë ku sipas tij lidhjet e pushtetit me krimin kanë shtrirë duart edhe në ekonomi

Pas prezantimit të nismës së saj për procesin e verifikimit të pasurive dhe lidhjeve të politikës më krimin, opozita bëri sot publik një tjetër projekt të sajin. Atë për të shtrirë efektet e ligjit antimafia, i cili ka si subjekt krimin e organizuar, dhe mbi ekonominë, ndaj koncensioneve apo tenderave që sipas saj janë dhënë apo fituar në mënyrë korruptive.

Ndërsa në parlament zhvillohej seanca e radhës, opozita, zgjodhi mjedise të tjera për të propozuar “mekanizmin ligjor dhe institucional për evidentimin, identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të personave privatë dhe zyrtarëve publikë përfshirë në afera kriminale korruptive, qofshin këto PPP, tendera, koncesione, leje apo licenca. Sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë nëse një grusht njerëzish përfitojnë gjysmën e fondeve publike në mënyrë jotransparente dhe akte korruptive për afera që nuk sjellin asnjë leverdi publike”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.

Për të dëshmuar domosdoshmërinë e një ndërhyrje të tillë, deputetja Jorida Tabaku bëri një analizë të tenderave, koncesioneve dhe kontratave të Partneritetit Publik Privat, ku sipas saj 1 ndër tre është dhënë pa garë. Ndërsa deputeti FLorion Mima, prezantoi bilanicn financiar ta abuzimeve që sipas tij i kanë kushtuar publikut 2.2 miliard lekë.

Duke përmbledhur thelbin e ndryshimeve ligjore të cilat u prezantuan nga deputet Enkelejd Alibeaj, kryetari demokrat Basha tha se ashtu si në rastin e krimit të organizuar të gjithë ata që përfitojnë në mënyrë korruptive paratë e taksapaguesve shqiptarë do të jenë subjekt i të njëjti mekanizëm: “Së pari, barra e provës do të jetë me subjektet e ligjit dhe jo me shtetin. Njësoj si me krimin e organizuar do t’ju takojë këtyre që janë bërë në këto afera korruptive të provojnë pafajësinë e tyre dhe ligjshmërinë e aseteve të tyre. Dhe së dyti, duke bërë të mundur që pavarësisht nga procesi i penal –juridik, pasuritë e vëna në këtë mënyrë t’i nënshtrohen procesit të verifikim-sekuestrim-konfiskim”.

Nismën e saj opozita synon të shtrojë për diskutim në takimet që ajo do të ndërmarrë me qytetarët, me premtimin se ky ligj do të hyjë në fuqi sapo ajo të jetë në pushtet.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama reagoi përmes Twitter-it. Duke njoftuar se sot Shqipëria u listua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit deri në 500 milion euro, ai theksoi se “kjo sipërmarrje do të ketë sukses, sepse ekonomia,financat e qeverisja janë krejt e kundërta e atyre që thotë pasqyra e dëshpërimit të opozitës sonë rrugëhumbur!”, shkruan zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG