Lidhje

Shqipëri: Opozita braktis seancën për programin


Në Shqipëri seanca e parlamentit e thirrur për prezantimin e programit të qeverisë u shoqërua me një situatë të ndezur që solli largimin e opozitës nga salla, ndërsa kryeministri Edi Rama kishte vetëm 20 minuta që kishte nisur fjalën e tij. Dhe ishte përmbajtja e saj që duket se acaroi opozitën. Ndërsa premtonte një marrëdhenie të re mes palëve në sallë, zoti Rama sulmoi shumicën e mëparshme për sjellje arrogante ndaj të majtëve kur ata ishin në opozitë. Ish kryeministri Sali Berisha, në mjediset e jashtme të parlamantit e akuzoi zotin Rama për nje retorikë banale dhe të ulët ndaj opozitës

Kanë nisur me një situatë konflikti mes palëve, orët e para të parlamentit të ri. Pas përplasjes mes shumicës së majtë dhe opozitës, për kohën tejet të shkurtër që fillimisht u kërkua t'i lihej kësaj të fundit për t'u përgatitur për debatin mbi programin, edhe seanca e mbrëmjes së sotme, kur kryeministri ri doli për të paraqitur këtë program u shoqërua me probleme duke u mbyllur pa praninë e deputetëve të opozitës së re në sallë, me përjashtim të dy tre prej tyre.

Demokratët vendosën të dilnin jashtë, ndërsa zoti Rama në pjesën e parë të fjalimit po jepte konsiderata politike mbi votën e 23 qershorit. Ai premtoi ndryshim duke sjellë si shembull për t'u harruar ato c'ka kishte bërë e djathta në pushtet, në fjali të ngarkuara me akuza për rrënimin e shkatërrimin sipas tij të vendit. Ndërsa premtonte një marrëdhenie të re mes palëve në sallën e parlamentit, zoti Rama shprehej se nuk do të bënte atë që kundërshtarët e tij kishin bërë me të majtët kur ishin në opozitë, duke sulmuar të djathtët për sjellje arrogante.

Në fillim deputetët e djathtë ndërhynë nga vendi, por më pas ndërsa fjalimi i zotit Rama ende nuk kishte hyrë në pjesën e programit ishte ish kryeministri Sali Berisha dhe ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, të sulmuar direkt nga zoti Rama që u ngritën duke tërhequr pas edhe deputetët e tjetër të opozitës

Në mjediset e jashtme të parlamentit, zoti Berisha tha:

«Në vend të programit dëgjuam një retorike të ulët, banale kundër opozitës, sikur ai të ishte opozitë dhe ne të ishim qeveri. Programi është fund krye një ligjërate bajate e një OJQ e cila nuk ka as edhe një kosto brende, asnjë buxhetim.
Me sharje fyerje ndaj opozitës mendon se do mund të kapërcejë premtimet alla Papandreu me të cilat mashtroi dhe i mori votat shqiptarëve. Në këto rrethana nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjëratën paranojake, banale të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë », u shpreh zoti Berisha, sipas të cilit, «në këtë rrugë të nisur ai do t'i ketë ditët e shkurtra».


Në sallën e parlamenti kryeministri Rama vazhdoi fjalën e tij edhe për afër 50 minuta të tjera duke i mëshuar faktit se të gjitha premtimet e bëra në fushatë do të realizohen, që nga hapja e 300 mijë vendeve të punës, te ato për shëndetësinë falas, të ulja e taksave për bizneset e vogla, për reduktimin e barrës fiskale për bujqësinë dhe një sërë atikujsh ushqimor, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit e rivendosjen e shpejtë të rendit e sigurisë. Ajo që bien në sy në programin e bërë pubik nga të majtët, ështe fakti se në të nuk gjenden afate, as etapat përmes të cilave synohet të realizohen premtimet dhe në shumicën e rasteve as mënyra se si do të përmbushen.

Situata e krijuar sonte në sallën e parlamentit paralajmëron temperatura të larta edhe të shtunën kur do të nis debati për programin. Kryetari demokrat Lulzim Basha, tha sonte në përfundim të një mbledhjeje të grupit parlamentar se opozita do të reagojë fort duke paraljmëruar edhe protesta nëse ajo do të provokohet sic ndodhi gjatë seancës së paraqitjes së programit. « Me largimin nga seanca opozita refuzoi gjuhën e urrejtjes, pasnesër do na ketë përballë se ka përgjegjësinë të përgjigjet para qyteravë për premtimet e bëra. Ne nuk do i japim paqe e nuk do pranojmë gjuhën e urrejtjes e as të provokojë opozitën. Sot mori përgjigje civile, nesër do ketë përgjigje proporcionale në sallë, rrugë e sheshet e vendit », deklaroi zoti Basha. Ai siguroi se nuk bëhet fjalë që opozita të bojkotojë parlamentin.
XS
SM
MD
LG