Lidhje

Shqipëri: Sërish replika pozitë-opozitë për reformat


Ditët brenda të cilave Komisioni Europian do t'i paraqesë vendeve anëtare rekomandimin mbi statusin e vendit kandidat Shqipërisë, të numëruara.

Në Shqipëri pozita dhe opozita shkëmbyen sot sërish replika lidhur me miratimin e reformave të kërkuara nga Brukseli por që kanë mbetur të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi të papranueshme ftesën e kryetarit të opozitës për t'u ulur në një tryezë e për t'i dhënë një zgjedhje cështjes së qarkut të Fierit. Sipas tij partitë nuk mund të diskutojnë mbi vendimet e gjykatave. Por sipas zotit Rama cështja e Fierit është dëshmi e mosrespektimit të shtetit të së drejtës dhe për këtë arsye sipas tij është e pakuptimtë që parlamenti të miratojë ligje që ngelen vetëm në letër.

Ditët brenda së cilëve komisioni europian do të duhet t'i paraqesë vendeve anëtare rekomandimin e tij lidhur me statusin e vendit kandidat Shqipërisë janë të numëruara. Në tetor, rekomandimi u kushtëzua me miratimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin për Nëpunësin civil dhe Reformën parlamentare. Të treja të mbetura ende pezull, ndërsa shumica dhe opozita vazhdojnë të replikojnë në distancë me njëra tjetrën. Në mes qëndron ngërci i drejtimit të qarkut të Fierit, për të cilin opozita thotë se vendimet e gjykatave të vendit i kanë njohur shumicën përfaqësuesve të saj. Dje kryetari socialist Edi Rama bëri një ftesë për një tryezë në të cilën sipas tij shumica duhej të angazhohej për njohjen e vendimeve të gjykatave dhe t'i hapte rrugë kështu miratimit të reformave në parlament.

Kryeministri Sali Berisha tha sot se shumica është e gatshme të ulet për t'i bërë të gjitha përmirësimet ligjeve, "por nuk mund të imagjinohet kurrë në një vend të lirë, që forcat politike te ulen për vendime gjykatash. Vendimet e gjykatave janë diçka krejt tjetër".

Zoti Rama u kundërpërgjigj duke deklaruar se qëndrimi i kryeministrit ishte një reagim brutal ndaj zgjidhjes së problemit. Sipas tij ofertat e kryeministrit për mocion mosbesimi ndaj anëtarëve të qarkut ishin "të paligjshme e të papranueshme pasi nuk mund të bëhet kompromis me vendimet e gjykatave", tha zoti Rama."Nuk mundemi të ngremë kartonin në parlament duke pranuar që legjislacioni shqiptar të mbetet karton dhe integrimi të kthehet në farsë, deri kur vjen fjala për një çështje që prek drejtpërdrejt interesin dhe vullnetin sovran të 300 mijë shqiptarëve dhe, nga ana tjetër, dëmton përsëri e përsëri palcën e shtetit të së drejtës që ngrihet mbi lirinë dhe të drejtën e zgjedhjes", u shpreh kryetari i PS

Nga ana e tij kryeministri u shpreh se propozimet e socialistëve "janë thjesht përpjekje për tu shmangur përgjegjësisë së tmerrshme që merr mbi vete. Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rëndë se çdo gjë tjetër. Ligjet janë në parlament, në qoftë se ke vërejtje dhe sugjerime për ligjet, urdhëro të ulemi në çdo kohe dhe ne çdo nivel, por lojëra me interesat jetike të qytetarëve shqiptarë mos bej, sepse kjo është jashtëzakonisht e papranueshme".

Por për zotin Rama, një dështim në marrjen e statusit kandidat do të bjerë mbi qeverinë: "Nëse Shqipëria nuk e merr statusin e kandidatit në dhjetor ka vetëm një përgjegjës. Shqiptarët janë mjaftueshmërisht të mençur dhe mjaftueshmërisht të informuar për ta kuptuar këtë; Qeveria e Shqipërisë. E cila s'ka kurajë të ulet me opozitën për të bërë së paku minimumin e mbetur në këto ditë të fundit, sepse në fakt është qeveria që e ka marrë dhe e mban peng Fierin me sytë nga zgjedhjet e ardhshme dhe me kurriz nga Bashkimi Europian".

Situata duket e nderë dhe një ditë përpara seancës parlamentare shenjat për afrim as që duken. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vuri sot sërish theksin te nevoja e komunimimit mes aktorëve politik ndërsa perifrazoi deklarimet e sekretares Clinton ne TIranë dhe të ndihmës sekretarit Philip Gordon për nxitjen e axhendës së reformave. "Axhenda përfshin shumë elemente, por janë dy në veçanti: njëri element përfshin tre ligjet që ju përmendët. Por elementi i dytë, që është faktikisht edhe më i rëndësishëm, është ndërtimi i një historiku të luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së qeverisjes më të mirë. Por, këto nuk mund të ndahen; ato ecin së bashku", nenvizoi ambasadori amerikan.Edhe ambasadori I delegacionit të Bashkimit europian theksoi se koha në dispozicion mbetet e shkurtër duke nënvizuar se nuk mjafton që plaët të deklarojnë se janë pro integrimit porse ato duhet të lëvizin e të ecin përpara në këtë proces
XS
SM
MD
LG