Lidhje

Shqipëri: U gjet trupi i pajetë i minatorit të bllokuar në minierën e Bulqizës


Pas 5 ditë kërkimesh, në një nga galeritë e minierës së kromit në Bulqizë, në orët e para të ditës së hënë, është gjetur i pajetë trupi i minatorit 61-vjeçar Muharrem Plaku, i cili ishte bllokuar nga shembja e dherave në brendësi të minierës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 të ditës së mërkurë, kur dyshohet se një masiv kromi është shkëputur nga tavani i minierës duke bllokuar në brendësi të saj minatorin.

Një grup i avari-shpëtimit të minierave, së bashku me minatorët e Bulqizës, punuan pa ndërprerë për 5 ditë, duke larguar nga brendësia e galerisë me qindra tonë dhera, në përpjekje për të shpëtuar jetën e minatorit të bllokuar.

Aksidentet në minierat në Veri të Shqipërisë janë të shpeshta, për shkak të gjendjes se tyre të amortizuar dhe mungesës së kushteve teknike. Në shkurt të këtij viti, në zonën D të minierës së Bulqizës, humbi jetën një minator 46 vjeçar, ndërsa në muajin maj, të po këtij viti, u asfiksuan 3 minatorë, njëri prej tyre ishte në gjendje të rëndë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në minierat e Shqipërisë kanë humbur jetën 5 minatorë. Ngjarja më e rëndë është shënuar në e minierën e Selishtës, në Dibër, ku humbën jetën tre minatorë pas një aksidenti në brendësi të minierës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG