Lidhje

Ish kandidatja presidenciale e Kolumbisë, Betankort hedh në treg librin e saj


Ish kandidatja presidenciale e Kolumbisë, Betankort hedh në treg librin e saj
Ish kandidatja presidenciale e Kolumbisë, Betankort hedh në treg librin e saj

Ingrid Betancourt ishte në garën presidenciale në Kolumbi në vitin 2002 kur u rrëmbye nga organizata guerrilase e njohur si FARC, apo Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë. Për gjashtë vjet e gjysmë ajo jetoi si pengu i tyre në xhungël. Deri në momentin kur qeveria kolumbiane ndërmori një aksion të guximshëm për lirimin e pengjeve, ajo shqetësohej se mund të mos ishte më asnjëherë e lirë. Ingrid Betancourt sapo ka botuar një libër mbi përvojën e saj dhe bisedoi në Nju Jork me korrespondenten e Zërit të Amerikës, Carolyn Weaver.

Ingrid Betancourt ishte një senatore kolumbiane që po bënte fushatë për zgjedhjet presidenciale si kandidate e partisë Oksigjeni i Gjelbërt kur ajo dhe menaxherja e fushatës Clara Rohas u rrëmbyen në një zonë të kontrolluar nga rebelët e organizatës FARC. Shumë shpejt ato u bënë pengje në xhunglën e Amazonës.

“Ambjenti atje ishte shumë agresiv. Kishte lloje të ndryshme gjarpërinjsh, tarantula dhe lloje të ndryshme kafshësh që mund të të sulmojnë. Kjo gjatë natës. Ditën ishim të lidhura për qafe me zinxhirë pas një peme dhe nuk mund të lëviznim.”

Betancourt e tregon historinë e saj në librin e ri, Edhe Heshtja Ka Një Fund. Për gjashtë vjet e gjysmë ajo dhe pengjet e tjerë, përfshi tre kontraktorë ushtarakë amerikanë të marrë pasi avioni i tyre u rrëzua, jetuan me sakrifica dhe mizori. Guerrilasit e organizatës FARC i filmonin rregullisht pengjet për të provuar se ata ishin gjallë dhe ende të vlefshëm për të kërkuar para për lirimin e tyre. Betancourt u përpoq të largohej pesë herë por çdo herë u kap përsëri dhe mori dënime të reja.

“E di që je në situata ekstreme, mësohesh aq sa ke mundësi, dhe për mua e vetmja gjë e rëndësishme në ato kohë të frikshme, në ato situata disa herë sadiste kur rojet ishin të dhunshëm dhe mizorë, ishte të ruaja dinjitetin tim, me aq sa kisha mundësi të ruaja respektin për veten.”

Në korrik 2008 një helikopter u ul në kamp për të transferuar 14 nga pengjet. Ata dukeshin të ishin rebelë të lidhur me organizatën FARC. Robërit menduan se do të lëvizeshin edhe më thellë në Amazonë.

“U habita dhe mendova – asnjëherë s’kemi për të dalë ndonjëherë prej këtej. Mendova se do të ishim pengje edhe për 10 apo 20 vjet të tjera. Duke menduar kështu as që donim të hipnim në helikopter. U detyruam të hipnim pasi kishim armën në shpinë.”

Por kur hipën në helikopter kuptuan se ata që dukeshin si rebelë ishin shpëtimtarët e tyre.

“Njëri prej tyre bërtiti, jemi ushtria kolumbiane dhe ju jeni të lirë.”

Me një operacion të sofistikuar, ushtria kolumbiane mashtroi komandantët e FARC-ut dhe i bindi të dorëzonin pengjet. Betancourt u ribashkua me familjen e saj përfshi dy fëmijët që kishin qënë 13 dhe 16 në kohën kur ajo u rrëmbye. Ajo thotë se dashuria që kishte provuar para rrëmbimit e ndihmoi të mbijetonte.

“Dashuria e fëmijëve, e nënës sime, e babait, më dhanë forcën që të doja të largohesha gjithë kohën. E kisha qëllim. Por mendoj se për mua kishte edhe një lloj dashurie tjetër, dashuria e Zotit që është shumë e rëndësishme.”

Betancourt thotë se dashuria e pengjeve të tjerë e mbajti gjithashtu gjallë, megjithëse disa prej tyre përfshi Clara Rohas, e kanë kritikuar librin e saj. Ajo u denoncua gjithashtu gjërësisht në Kolumbi kur njoftoi planet se do të ngrinte padi ndaj qeverisë për kompensime. Më vonë ajo e tërhoqi padinë.
Tani që jeton në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara, Betancourt thotë se ende po mundohet të marrë veten nga vitet që kaloi në robëri dhe nuk ka interes t’i kthehet politikës. Por ajo thotë se do të vazhdojë të lobojë për viktimat e rrëmbimeve. Grupet e të drejtave të njeriut llogarisin se guerriljet kolumbiane mbajnë tani qindta ndoshta mijëra pengje.

XS
SM
MD
LG