Lidhje

Uardllo: "Besëlidhja" ofron shërbime financiare gjithëpërfshirëse në Kosovë


Uardllo: "Besëlidhja" ofron shërbime financiare gjithëpërfshirëse në Kosovë
Uardllo: "Besëlidhja" ofron shërbime financiare gjithëpërfshirëse në Kosovë

Besëlidhja/Zavet Microfianance është një firmë që jep kredi me interes të ulët në Kosovë. E krijuar pas përfundimit të luftës, ajo ka një buxhet prej 5,5 milionë eurosh dhe këtë vit u ofron shërbime financiare rreth 3 mijë klientëve. Drejtori i Besëlidhjes, Derek Wardlaw kohët e fundit ishte në Uashington dhe u intervistua nga kolegu ynë Festim Gashi.

Zëri i Amerikës: Zoti Wardlaw, çfarë aktivitete ka Besëlidhja? Çfarë shërbime ofroni?

Derek Wardlaw: Besëlidhja është një institucion mikrofinanciar që ofron shërbime financiare në Kosovë. Ne jemi në Kosovë prej 10 vjetësh, pra që nga përfundimi i luftës dhe kryesisht ofrojmë kredi.

Zëri i Amerikës: Sa i madh është buxheti apo kapitali i Besëlidhjes? Cila është shuma e kredive që keni dhënë deri tani?

Derek Wardlaw: Kemi rreth 5,5 milionë euro në formë asetesh. 90% e tyre shfrytëzohet për dhënien e kredive.
Zëri i Amerikës: Nga i merrni fondet për të mbështetur operacionet e firmës suaj?

Derek Wardlaw: Financohemi kryesisht përmes huave që marrim nga borxhet e bankave evropiane dhe amerikane. Për momentin nuk përdorim donacione apo grante. Ne kryesisht operojmë si një entitet komercial dhe përdorim borxhet komerciale që i marrim nga tregu i hapur. Në këtë mënyrë financojmë operacionet dhe klientët tanë.

Zëri i Amerikës: Përse njerëzit vijnë tek ju për të marrë kredi?

Derek Wardlaw: Është një pyetje që kërkon një përgjigje të hollësishme. Vetë fjala mikrofinancë do të thotë gjithëpërfshirje. Pra, bëhet fjalë për gjithëpërfshirje financiare. Dhe pikërisht ky është qëllimi dhe misioni ynë, përfshirja e të gjithëve në shërbimet financiare që ne ofrojmë në Kosovë. Pra, t’u ofrohen shërbime financiare atyre që nuk marrin dot kredi.

Zëri i Amerikës: A i monitoroni ata që marrin kredi nga ju?

Derek Wardlaw: Po. Institucioni ynë auditohet nga katër kompanitë e mëdha të auditimit dhe ne e raportojmë vepërimtarinë tonë te banka qëndrore. Respektojmë një numër rregullash dhe udhëzimesh sipas të cilave ne duhet të veprojmë. Këtu përfshihet edhe monitorimi i klientëve, pagesat e kredive si dhe monitorimi i atyre që nuk paguajnë kredinë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë rreziqet e dhënies së kredive? Sa është përqindja e atyre që nuk e shlyejnë kredinë?
Derek Wardlaw: Si në çdo vend të botës ku bankat ndeshen me problemin e mospagimit të kredive kjo ndodh edhe te ne. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përqindja e mospagimit të kredive është shumë e ulët. Në mesin e institucioneve mikrofinanciare në Kosovë dhe në rajon, Besëlidhja ka përqindje më të mirë në aspektin e mos shlyerjes së kredive. Vetëm 3% e personave që marrin kredi brenda 30 ditëve nuk paguajnë kredinë. Pra, 97% paguajnë në kohë.

Zëri i Amerikës: A ofron Besëlidhja shërbime financiare edhe për pakicat në Kosovë? A ka interesim të madh nga pakicat për shërbimet tuaja?

Derek Wardlaw: Po. Sërbët që jetojnë nëpër enklava përbëjnë një të tretën e kredimarrësve tanë. Në përgjithësi ata janë klientë të mirë ashtu si edhe shqiptarët. Jemi të kënaqur nga puna me këta klientë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një institucion financiar jo fitimprurës dhe i pavarur. A keni plane për t’u bërë një kompani me fitim?

Derek Wardlaw: Institucioni ynë nuk merr donacione nga palë të tjera për të mbështetur operacionet, prandaj ne marrim hua për këtë qëllim. Kështu që është detyra jonë të bëhemi fitmiprurës, në mënyrë që të tërheqim më shumë invesitorë, të zgjerojmë veprimtarinë, të jemi më gjithëpërfshirës ndaj atyre që u ofrojmë shërbime financiare. Në mënyrë që të zgjerohemi dhe t’u ofrojmë më shumë shërbime atyre që nuk marrin dot kredi, ne duhet të zgjerohemi. Prandaj duhet të bëhemi institucion fitimprurës. Kjo do të thotë se ne duhet të shndërrohemi nga një organizatë joqeveritare jo fitimprurëse në një organizatë private fitimprurëse.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë problem për t’u bërë kompani me fitim?

Derek Wardlaw: Ligjet e Kosovës nuk na e lejojnë këtë. Problemi kryesor është transferimi i kapitalit nga një organizat jo qeveritare në një institucion fitimprurës.

Zëri i Amerikës: A pritni ndryshim në këtë fushë? A do të ndryshojë kjo gjendje së shpejti?

Derek Wardlaw: Shpresojmë se do të ndryshojë. Shresojmë që në fund të këtij viti ndoshta në seancën e ardhshme, parlamenti i Kosovës të diskutojë një ligj të ri për bankat dhe shpresojmë që edhe institucionet mikrofinanciare të përfshihen në këtë ligj. Shpresojmë që përmes këtiji ligji të hapet rruga drejt transformimit të institucioneve mikrofinanciare. Kjo mund të jetë mundësi që ne të ofrojmë më shumë shërbime për ata që nuk i kanë këto shërbime në Kosovë.

XS
SM
MD
LG