Lidhje

Alepo, arrihet marrëveshje për rifillimin evakuimit


Sot u arrit një marrëveshje për rifillimin e evakuimit nga qyteti i Alepos, në Siri.

Evakuimi u pezullua të premten, për shkak të kërkesave të forcave pro-qeveritare, që kërkonin evakuimin e dy fshatrave, Foua dhe Kfarya. Banorët e këtyre fshatrave janë përfshirë në eksodin e sotëm.

Qeveria siriane e pezulloi të premten evakuimin pasi në Alepo u dëgjuan të shtëna me armë dhe shpërthime. Forcat rebele dhe ato qeveritare akuzuan njëra tjetrën për prishjen e armëpushimit të brishtë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët paralajmëroi sot se dhuna në Aleppo mund të përhapet edhe në rajone të tjera, në se nuk ndalet menjëherë lufta në Siri.

“Konfliktit në Siri duhet t’i jepet fund menjëherë, për hir të civilëve, që rrezikon të mbeten peng i negociatave.”, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Agjencia ruse e lajmeve njoftoi të shtunën se ministria e jashtme ruse shpreson se evakuimi i luftëtarëve rebelë në Alepon lindore do të sjellë mundësi për ndalimin e luftimeve edhe në rajonet e tjera të Sirisë.

Qeveria siriane urdhëroi që kamionët dhe autobuzët me njerëz që po evakuoheshin nga zonat e Alepos nën kontrollin e rebelëve të ktheheshin mbrapsht, ngaqë ushtria i bllokoi rrugët e caktuara për evakuimin e njerëzve. Turqia, që është angazhuar intensivisht në procesin e paqes në Aleppo, tha se pezullimi i evakuimit është i përkoshshëm. Këshilli i Sigurimit u takua mbrëmë në një sesion urgjent për Sirinë dhe sot atje po vazhdojnë bisedimet.

Sekretari i Shtetit John Kerry premtoi se SHBA do të vazhdojnë të përpiqen për të shpëtuar jetën e njerëzve të pafajshëm dhe t’i nxisin të gjitha palët në Siri drejt një zgjidhjeje, për të lejuar hyrjen e grupeve të ndihmave në mbarë vendin.

XS
SM
MD
LG