Lidhje

Alepo, pezullohet evakuimi i popullsisë civile


Evakuimi i popullsisë në Alepo është ndërprerë, duke lënë mijëra njerëz të bllokuar. Sipas njoftimeve, sot u dëgjuan shpërthime pranë autokolonave që transportojnë njerëzit nga ai qytet. Media shtetërore në Siri njoftoi se rebelët kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit me qeverinë, gjë që kundërshtohet si e pavërtetë nga ana e rebelëve. Nuk është e qartë se kur do të rifillojë operacioni i evakuimit.

Në një konferencë për shtypin në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Elizabeth Hoff, tha përmes telefonit se Kryqi i Kuq dhe zyrtarët e OKB-së ishin njoftuar që të largoheshin nga zona në fjalë.

“Shqetësimi ynë për momentin është se njerëzit janë ende në enklavat e rrethura në lindje të Alepos - pjesët e mbetura nga ku po zhvilloheshin evakuimet. Ende ka shumë gra, foshnje dhe fëmijë nën moshën pesë vjeçare që duhet të largohen nga aty. Ata kanë shkuar në pikat ku prisnin autobusët dhe ambulancat. Por me ndërprerjen e operacionit, ata duhet të kthehen në strehimet e tyre. Kjo përbën shqetësim të madh për ne, sepse e dimë se sa të dëshpëruar janë që të largohen nga aty.”

Autokolona me ambulanca dhe autobusë u larguan të enjten nga Alepo, qytet i njohur për historinë dhe kulturën myslimane dhe arabe para se lufta civile e ktheu atë në rrënoja.

Autobusët u larguan nga pjesa lindore e Alepos dhe kaluan në territorin e kontrolluar nga qeveria para se të shkonin në një tjetër pjesë të kontrolluar nga rebelët.

Presidenti rus tha sot se vendi i tij po punon me Turqinë për të filluar një raund të ri bisedimesh për paqen në Siri me synimin e arritjes së një armëpushimi në mbarë vendin.

Duke folur gjatë një vizite në Japoni, zoti Vladimir Putin tha se ai dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan propozojnë zhvillim negociatash mes qeverisë siriane dhe opozitës, të cilat mund të zhvillohen në kryeqytetin kazak, Astana.

Komentet e presidentit rus erdhën ndërsa më shumë civilë po përgatiteshin të largoheshin nga qyteti i shkatërruar i Alepos. Mijëra njerëz u larguan të enjten nga qyteti i ndarë, në bazë të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, duke rënë përfundimisht në kontrollin e qeverisë siriane.

XS
SM
MD
LG