Lidhje

Ambasadori Sekui, partitë të zbatojnë rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR


Ambasadori Sekui, partitë të zbatojnë rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR
Ambasadori Sekui, partitë të zbatojnë rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR

Tre ditë pas publikimit të Raportit të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet vendore të 8 Majit, ambasadori i Delegacionit të BE, Etore Sekui, tha sot se forcat politike kanë detyrimin për të zbatuar rekomandimet e këtij Raporti.

Deklaratën e tij ambasadori i Delegacionit të BE e bëri sot në Qendrën Europiane të Informimit, në qytetin e Shkodrës.

"Të dyja palët dhe, mund të themi që të gjithë, po thonë që raportimet e OSBE-ODIHR janë të rëndësishme dhe se rekomandimet duhen zbatuar. Ka një marrëveshje, tha ambasadori Sekui, që rekomandimet e OSBE-ODIHR duhen zbatuar dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet. Raporti është publikuar dhe Komisioni Europian do të marrë në konsideratë, në mënyrë të qartë, rekomandimet e OSBE-ODIHR përsa i përket hartimit të Raportit të Progresit, i cili do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 tetor".

Duke patur parasysh vlerësimet e bëra nga dy forcat kryesore politike, menjëherë pas publikimit të Raportit të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e 8 Majit, ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri, Etore Sekui, u kujtoi forcave politike që të presin vlerësimet e Raportit të Progresit , Raport i cili do të publikohet në muajin tetor dhe do të vlerësojë zbatimin e detyrave që i janë lënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt Europës.

"Mendoj që duhet të presim për Raportin e Progresit, në mënyrë që të japim një vlerësim koherent. Me qëllim që Shqipëria të ecë drejt Europës, një numër çështjesh, që janë të rëndësishme, duhen marrë parasysh. Në rradhë të parë, duhet konsideruar çështja e integrimit europian, si çështje e interesit dhe prioritet kombëtar. Ajo çfarë kërkohet, është se duhet një angazhim i plotë dhe i fortë nga forcat politike shqiptare për zbatimin e të gjithë prioriteteve që Komisioni Europian ka përcaktuar për Shqipërinë, kjo në mënyrë që ajo të ecë përpara. Dhe, siç e kam përsëritur edhe më parë dhe që dua ta përsëris edhe tani, është e domosdoshme që të rifillojë dialogu politik në Shqipëri".

Ambasadori i Delegacionit te BE në Shqipëri, Etore Sekui, morri sot pjesë në hapjen e një ekzspozite të të rinjve nga Shkodra dhe Vlora të titulluar “Zemra ime rreh për Europën”, ekspozitë kjo nga ku pritet të dalë një propozim për posterin e Ditës së Europës 2012.

XS
SM
MD
LG