Lidhje

Amnesty International: Myslimanët në Evropë përballen me diskriminim


Myslimanët në Evropë po përballen me diskriminim në rritje për shkak të besimit të tyre fetar dhe kjo po ndodh jo vetëm nga evropianët e zakonshëm, por edhe nga qeveritë dhe politikanët. Ky është vlerësimi i një raporti të ri të grupit të të drejtave të njeriut Amnesty International.

Në disa vende të Evropës, gratë dhe vajzat myslimane që veshin shami po hasin vështirësi për të gjetur punë apo për të shkuar në shkollë. Meshkujt mund të pushohen nga puna për shkak se ata mbajnë mjekër. Dhe komunitetet myslimane nganjëherë nuk kanë të drejta të mjaftueshme për të shprehur mendimet e tyre lidhur me çështje kyçe që kanë të bëjnë me besimin e tyre – si për shembull ndërtimi i një salle lutjesh. Këto janë disa nga një seri rezultatesh të raportit të parë të plotë të organizatës Amnesty International mbi diskriminimin fetar kundër myslimanëve në Evropë.

Marco Perolini është ekspert i organizatës mbi diskriminimin në Evropë.

"Gjatë viteve të fundit, kemi vënë re një rritje të prototipeve dhe të paragjykimeve ndaj Islamit dhe myslimanëve në Evropë, dhe ato pjesërisht janë krijuar nga një pjesë e veçantë e shoqërisë civile, por gjithashtu edhe nga qeveritë dhe politikanët."

Raporti i organizatës Amnesty International përqëndrohet në Belgjikë, Hollandë, Spanjë dhe Zvicër - së bashku me Francën, ku gjendet komuniteti mysliman më i madh i Evropës. Ndjenjat anti-myslimane kanë kontribuar në përhapjen e aktiviteteve të partive dhe udhëheqësve të së djathtës ekstreme. Një rast i tillë është zonja Marine Le Pen e Frontit Kombëtar të Francës, e cila u rendit e treta në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Raporti analizon ndikimin e ligjeve të veçanta, si legjislacioni francez që ndalon gratë të veshin në publik perçe që mbulojnë krejt fytyrën ose vajzat që mbajnë shami në shkollat publike. Amnesty International argumenton se këto dhe ndalime të tjera shkelin të drejtat themelore evropiane.

"Ne nuk duhet të harrojmë se disa të drejta - si e drejta për t’u mos diskriminuar, e drejta e lirisë së shprehjes, e drejta e lirisë së fesë - janë të drejta themelore dhe qeveritë e kanë për detyrë t’i respektojnë dhe t’i përmbushin ato."

Grupi Amnesty International përmend shembuj të tjerë ku të drejtat fetare janë duke u shkelur. Zvicra ndalon që xhamitë të kenë minare. Ndërsa në Katalonia, të Spanjës, myslimanët janë të detyruar të luten në rrugë për shkak të mungesës së sallave të lutjeve dhe si pasojë e kundërshtimit nga banorët lokalë ndaj ndërtimit të qendrave të reja fetare.

XS
SM
MD
LG