Lidhje

Analistët nuk befasohen nga këmbimi i posteve mes Medvedevit dhe Putinit


Analistët nuk befasohen nga këmbimi i posteve mes Medvedevit dhe Putinit
Analistët nuk befasohen nga këmbimi i posteve mes Medvedevit dhe Putinit

Presidenti rus Dmitri Medvedev do të shkëmbejë postet vitin e ardhshëm me kryeministrin Vladimir Putin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera u hedh një vështrim pasojave që do të kishte kjo lëvizje.

Ekspertët e çështjeve ruse thonë se njoftimi se Vladimir Putin do të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ndërsa Dmitri Medvedev do të bëhet kryeministër i një qeverie të re nuk befasoi askënd. Robert Legvold është ekspert për Rusinë në Universitetin Columbia.

“Njerëzit prisnin të merrnin vesh se çfarë rrjedhe do të merrnin ngjarjet, duke e ditur që do të bëhej fjalë për ata të dy për një farë kohe dhe shumë vetë e kanë menduar që Putini do të donte të kthehej. Para dy vjetësh, kur u zgjat mandati presidencial nga katër në gjashtë vjet, ideja ishte që ky veprim u ndërmor në mënyrë që Putini të kthehej edhe më shpejt se sa të priste për zgjedhje të rregullta kushtetuese. Kështu që ideja ka kohë që qarkullon”.

Shumë analistë thonë se këmbimi i posteve mes zotit Medvedev dhe zotit Putin i kthen zgjedhjet presidenciale të marsit në një farsë. Por Mathew Rojansky, një ekspert i çështjeve ruse në Fondacionin Carnegie për Paqe e shikon nga një këndvështrim tjetër.

“Nuk mendoj se janë as më shumë as më pak farsë se sa ç’do të kishin qenë. Nuk duhet të harrojmë se problemi nuk është nëse do të kandidojë apo jo Putini, apo Medvedevi. Problemi është se nuk ka qasje të plotë në burimet politike të pjesëmarrjes për të gjitha forcat politike të shoqërisë”.

Analistët thonë se me kalimin e viteve, udhëheqja ruse e ka konsoliduar pushtetin duke kontrolluar pjesën më të madhe të medias dhe duke e bllokuar opozitën politike. Për këtë arsye ekspertët thonë se zoti Putin pritet të fitojë dhe me shumë gjasa të rizgjidhet pas gjashtë vjetësh, gjë që do t’i jepte mundësi të qëndronte në pushtet deri në vitin 2024.

“Pushteti që ai ushtron me ose pa postin zyrtar është i pashembullt që nga koha e Stalinit. Vladimir Putin ka krijuar një kult individi dhe pushteti politik që ai e ushtron përmes personalitetit të tij, në një nivel që nuk ka rivalë”.

Shumë analistë thonë se zoti Putin gëzon shumë popullaritet në gjithë Rusinë. Por Robert Legvold thotë se qeveria ruse nuk gëzon të njëjtën mbështetje.

“Mund të jetë një nga arsyet se pse ai po e merr prapë presidencën sepse mendoj që ai shpreson që mund ta kthejë popullaritetin e tij personal në mbështetje për regjimin, për qeverinë dhe për politikat që po ndjek. Sepse ka ndryshim mes asaj që tregojnë anketat për qëndrimin e publikut ndaj tij personalisht dhe ndaj mjedisit apo gjendjes politike në Rusi”.

Në fund të fundit, shumë ekspertë, përfshirë Matthew Rojanskin, besojnë se Putini dhe Medvedevi punojnë si ekip së bashku.

“Në ‘sinkron’ është fjala e saktë për sistemin e tyre. Besoj se Putini diku nga viti 2007 (kur ishte president) mendoi se i duhej një patericë, pasi nuk mund të bënte çdo gjë vetë. Kishte nevojë për një ndihmës besnik për arsye marrëdhëniesh publike dhe menaxhimi. Mendoj se Medvedevi u bë njeriu që luajti këtë rol dhe ata punojnë së bashku. Nuk është një ekip të barabartësh, por gjithsesi është ekip. Kështu fakti që Medvedevi ishte president katër vitet e fundit, ka më pak rëndësi sesa fakti që ai ishte anëtari më me pak peshë në këtë bashkëpunim dhe ai do të mbetet në këtë rol”.

Analistët thonë se ekipi Medvedev/Putin përballet me disa detyra të vështira si institucionet e vendit, hapjen e sistemit politik dhe luftën kundër korrupsionit. Por shumë ekspertë shtrojnë pyetjen nëse ata do të merren me këto çështje, gjë që nuk e kanë bërë deri tani.

XS
SM
MD
LG