Lidhje

Analistët propozojnë strategji më efikase për luftimin e piratërisë në Somali


Analistët propozojnë strategji më efikase për luftimin e piratërisë në Somali
Analistët propozojnë strategji më efikase për luftimin e piratërisë në Somali

Vrasja e 4 amerikanëve nga persona që mendohet se kanë qenë piratë somalezë në Detin Arabik ka tërhequr vëmendjen në shkallë ndërkombëtare. Kjo ka nxitur përpjekjet e forcave ushtarake ndërkombëtare, si dhe përpjekjet ligjore për t’i dhënë fund piraterisë së përhapur në brigjet somaleze. Ekspertët po sugjerojnë një numër qëndrimesh të reja ndja këtij fenomeni, si p. sh. një angazhim më të madh ekonomik, sulme strategjike dhe pakësimin e pagesës së parave që jepen për lirimin e pengjeve.

Ndërsa ka patur përpjekje ndërkombëtare përherë e më të mëdha për t’u marrë me atë që ekspertët e quajnë “kriza e piraterisë”, Organizata Ndërkombëtare e Deteve thotë se situata ka ardhur duke u keqësuar.

Gjatë 12 muajve të fundit janë njoftuar rreth 290 incidente piraterie, shumica e tyre kundër anijeve komerciale, në një zonë të gjerë. Përherë e më tepër piratë nga të ashtuquajtura “anije-mëmë” të mbushura me piratë, dalin në det për të grabitur, marrë peng anije dhe njerëz.
Laura Saei, studjuese e shkencave politike në Kolegjin Morhauz, po kryen studime për këtë çështje. Ajo thotë se sipas njoftimeve, një numër përherë e më i madh pengjesh po torturohen dhe vriten, siç është edhe rasti i 4 amerikanëve këto ditë.

“Në të kaluarën piratët nuk vepronin si sot, kryesisht ngaqë ata e shohin piretarinë si biznes. Sipas mënyrës së tyre të të menduarit, një peng i gjallë vlen shumë më tepër se sa një i vdekur, prandaj ka patur disa lloje kodesh dhe rregullash mes tyre lidhur me trajtimin e pengjeve. Muajt e fundit, përkundrazi, po shohim që piratët po përdorin më tepër forcën.”

Shefat piratë, në veçanti, kanë thënë se do të hakmerren kur vriten piratët, gjë që i ka bërë ekspertët të dyshojnë për efektshmërinë e misioneve ushtarake të shpëtimit të pengjeve.

David Shin, professor në Universitetin Xhorxhtown dhe ish-ambasador në Afrikë, thotë se arrestimi dhe nxjerrja para drejtësisë e piratëve, po ashtu ka qenë e vështirë.

“Ka me qindra pirate, ndaj të cilëve po zhvillohen procese gjyqësore, por zakonisht ato përfundojnë me lirimin e piratëve, edhe ngaqë nuk ka burgje të mjaftueshme për t’i mbajtur të gjithë piratët somalezë”.

J. Piter Pham, ekspert amerikan i sigurisë me banim në Afrikë, thotë se kohët e fundit vihet re një prirje për shtimin e pagesave për lirimin e pengjeve dhe se ka një shkallëzim të dhunës.

“Vitin e kaluar pagesa për lirimin e pengjeve arriti në 7,8,9 milionë dollarë disa herë më e madhe se një vit më parë. Pra, në kushtet kur bëhet fjalë për kaq shumë para, vihet re një numër përherë e më i madh njerëzish që i hyjnë biznesit të piraterisë, duke shtuar kështu si numrin e vetë piratëve dhe të incidenteve të piraterisë. Nganjëherë ka disa piratë që duan t’i marrin me lehtësi milionat, pa menduar në mënyrë racionale dhe kjo ka shkaktuar viktima, si ishte rasti fatkeq i 4 amerikanëve.”

Eksperti i sigurisë Pham thonë se në rastet e rrëmbimeve, duket se piratët marrin peng ata shtetas, vendet e të cilëve janë më të gatshëm për të paguar më tepër para për shpëtimin e pengjeve. Ai thotë i zhgënjyer se shumica e piratëve që interceptohen nga anije të ndryshme që patrullojnë ujërat e rrezikuara zakonisht lirohen.

Ish-ambasadori Shin në Afrikë thotë se duhet përdorur më tepër medota e shkopit dhe karrotës. Sipas tij, karrota do të ishte një ndihmë më e madhe nga jashtë për vende si Somalia, të cilat ai i quan fole të piratëve, siç janë komunitetet që jetojnë në brigjet Puntland, në Afrikën verilindore. Shkopi, sipas zotit Shin do të ishte ndjekja e anijeve pirate-mëmë, një qëndrim që India tashmë e ka provuar.

Ndërkohë, ekspertët janë të një mendimi, se çdo përpjekje e të huajve për të shkuar me anije në detet në thellësi, pranë brigjeve të Somalisë është tepër e rrezikshme dhe se duhet shmagur.

XS
SM
MD
LG