Lidhje

Anketimi i ri, imazhi i SHBA-së si superfuqi botërore është zbehur


Njerëzit me pankarta gjatë një proteste kundër Presidentit Trump në qendër të Londrës (4 qershor 2019)
Njerëzit me pankarta gjatë një proteste kundër Presidentit Trump në qendër të Londrës (4 qershor 2019)

Imazhi i Shteteve të Bashkuara si një superfuqi botërore është zbehur që kur Donald Trump fitoi garën për president në 2016-n, thotë qendra e pavarur kërkimore Pew. Sipas gjetjeve të një sondazhi të kryer në 13 vende vetëm 41 për qind e të anketuarve në Britani kanë një mendim të favorshëm për SHBA-në, përqindja më e ulët e çdo sondazhi që Pew ka kryer në vend. Vetëm 31 për qind e popullsisë në Francë e shohin SHBA-në në mënyrë të favorshme, duke pasqyruar rezultatet e një sondazhi të marsit 2003, kur tensionet mes dy vendeve arritën kulmin gjatë Luftës në Irak, sipas studimit. Sondazhi gjithashtu zbuloi se pjesa më e madhe e dëmit në reputacionin ndërkombëtar të Amerikës mes vendeve aleate e partnerëve kryesorë, lidhet me trajtimin e krizës së koronavirusit. Vetëm 15 për qind e vendeve pjesëmarrëse i dhanë SHBA-së vlerësime të mira për trajtimin e pandemisë. Shumica e tyre thanë se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian kanë bërë një punë të admirueshme për vënien nën kontroll të pandemisë. Pothuajse të gjitha vendet, përveç SHBA-së dhe Britanisë, u dhanë vendeve të tyre nota pozitive për trajtimin e shpërthimit.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë sondazhit, por zoti Trump ka pohuar më parë se ka bërë një punë të mirë në trajtimin e krizës së koronavirusit, megjithëse SHBA-ja vazhdon të udhëheqë botën për sa i takon numrit të infeksioneve dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar zoti Trump tha se "krahasuar me të tjerët, ne kemi bërë një punë të shkëlqyer". Presidenti Trump sugjeroi gjithashtu se SHBA-ja nuk ka qenë dhe aq e prekur nga virusi krahasuar me vendet e tjera. "Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe mbi të gjitha, kur sheh numrat jemi ndikuar më pak se vendet e tjera", tha zoti Trump.

Gjetjet e sondazhit bazohen në përgjigjet e 13,273 të anketuarve nga 10 qershori më 3 gusht. Anketat u zhvilluan në Australi, Belgjikë, Kanada, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Hollandë, Korenë e Jugut, Spanjë, Suedi dhe Britani. SHBA-ja nuk u përfshi në sondazh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG