Në Shqipëri, policia nisi në orët e para të ditës së sotme një operacion të gjërë për asgjësimin e bimëve narkotike në zonën e larget malore të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës. Operacioni është koduar me emrin “Brashta”, emër ky që mban edhe një nga fshatrat më problematik në zonën e Dukagjinit përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni i policisë është shtrirë në fshatrat Ndreaj, Brashtë, Pyla, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumit. 450 forca të policisë vendore të Qarkut të Shkodrës, forcat speciale RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe 70 automjete janë përfshirë në këtë operacion, që cilësohet si më i madhi i zhvilluar këtë vit nga policia shqiptare në luftën për asgjësimin e bimëve narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetit haki Çako po ndjek nga afër në terren operacionin së bashku me drejtues të tjerë të policisë. Deri në mesditë, forcat e policisë kishin asgjësuar 65 parcela me 6675 bimë narkotike, duke dokumentuar të gjitha fazat e operacionit.
Operacioni “Brashta” është operacioni i dytë masiv, qe policia shqiptare zhvillon në zonën malore të Dukagjinit. Një operacion i ngjashëm u zhvillua vitin e kaluar po në këtë zonë, ku u asgjësuan me mijra rrënjë të bimeve narkotike, të mbjedha në parcela të vogla, larg zonave të banuara dhe pa pronar. Operacioni i vitit të kaluar u shoqërua edhe me kundërshtimin e armatosur të një grupi përsonash, të cilët arritën të qëllojnë me armë në drejtim të fprcave të policies si dhe ndaj një helikopteri shoqëronte forcat speciale, pjesemarrëse në këtë operacion, duke e dëmtuar dhe shtyrë të bëjë ulje të detyruar.
Gjatë këtij viti, në tre rrethet e Qarkut të Shkodrës, policia ka asgjësuar 738 parcela me 98211 bimë narkotike, shifra këto që dëshmojnë mbi përhapjen masive të fenomenit të kultivimit të bimeve narkotike në këtë pjesë të territorit të Shqipërisë.