Një difekt kompjuterash bëri që gabimisht Shtetet e Bashkuara të njoftojnë 22 mijë qytetarë të huaj se ata kanë fituar llotarinë e vizave për të emigruar në Amerikë. Departamenti i Shtetit njoftoi sot se kjo listë e zgjedhur nga kompjuteri nuk është më e vlefshme dhe se do të bëhet një përzgjedhje e re.
Fituesit do të njoftohen në mes të korrikut. Vitin e kaluar rreth 15 milionë shtetas të huaj morrën pjesë në llotarinë e vizave me shpresë për të qënë një prej 50 mijë personave që fitojnë të drejtën e imigrimit në Shtetet e Bashkuara.
Shorti i gabuar, që nuk do të meret parasysh, synonte të zgjidhte 90 mijë kandidatë si pretendë të mundshëm, prej të cilëve, pas intervistave për të parë në se ata i plotësojnë kushtet e llotarisë për arësim dhe profesion përkatës, do të zgjidheshin 50 mijë fituesit. Por difekti kompjuterik bëri që fituesit të zgjidheshin vetëm nga personat që e dorëzuan kërkesën në dy ditët e para të hapjes së llotarisë.
Regjistrimi për llotarinë, që filloi në ditët e para të tetorit, zgjati një muaj. Departamenti i Shtetit kërkoi ndjesë për gabimin dhe sqaroi se kandidatët nuk kanë nevojë të regjistrohen përsëri, duke shtuar se problemi kopjuterik tashmë është zgjidhur.