Lidhje

20 vjet pas aparteidit


20 vjet më parë, më 27 prill, Nelson Mandela u bë presidenti i parë zezak i zgjedhur në mënyrë plotësisht demokratike në Afrikën e Jugut, duke i dhënë fund zyrtarisht regjimit racist të njohur si aparteid. Një nga simbolet e ndarjes racore ishte Sowetoja - një grumbull fshatrash në jugperëndim të Johanesburgut. Ajo ishte qendër e protestave kundër aparteidit dhe ku dikur jetonte Mandela. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden bëri një vizitë në Soweto, për të parë se çfarë ka ndryshuar atje në dy dekada.

Ky tur në Soweto, është një kombinim i transportit publik me taksi dhe mikrobuzë për të shkuar nga qendra e Johannesburgut për në zonën më të populluar zezake urbane të vendit. Eshtë një tur i lirë që ofron një përvojë të vërtetë për Soveton.

Ciceronia Ntombi, që jeton atje, shoqëron kanadezët Beth Bromberg dhe Gary Barwin nëpër një lagje të varfër ku shkojnë pak turistë. Këtu, ndërtesat e strehimit të ndërtuara në dekadën e fundit nga qeveria kanë përmirësuar jetën e shumë njerëzve, ndërsa familje të tjera ende jetojnë në kasolle metalike. Grupi u ftua në shtëpitë e lagjes dhe Beth - me një xhep plot me karamele - bëri lehtë miq mes fëmijëve vendas.

Ajo thotë se në këtë grup të vogël mundi të mësojë shumë gjëra rreth kulturës dhe kushteve të jetesës.

Unë thjesht nuk dua t'i ngul sytë askujt. Dhe në qoftë se nuk mund ta bëj këtë me respekt, nuk do ta bëja. Kjo ishte mënyra e drejtë për të parë sesi jetohet vërtetë në Soveto.

Pjesa kulmore e turit në Soveto është sigurisht vizita në shtëpinë ku Nelson Mandela jetoi pak para se të burgosej në vitin 1962, pasi udhëhoqi për disa vite opozitën kundër qeverisë dhe politikave të saj të sundimit të pakicës së bardhë. Ndërtesa me tulla është e mbushur me fotografi dhe kujtime që tregojnë zotin Mandela kur ishte i ri aktivist dhe pas lirimit të tij pas 27 vjetësh kur ndihmoi në negociatat për t’i dhënë fund aparteidit, kur mori cmimin Nobel të Paqes dhe kur u zgjodh presidenti i parë zezak i vendit.

Ntombi thotë se pas gjithë këtyre viteve, historia e Nelson Mandelës mbetet një frymëzim i madh për afrikano-jugorët.

“Eshtë shumë e rrallë të shohësh dikë të vuajë për të gjithë vendin. Po të ishte për mua, unë mund të vuaj vetëm për vete dhe për familjen time”.

Turi përfshin edhe vizita në shtëpinë e peshkopit Desmond Tutu -- i cili ka fituar gjithashtu çmimin Nobel të Paqes për punën e tij për t’i dhënë fund aparteidit.

Tani në Soveto shkojnë më shumë turistë për të parë monumentet dhe për të mësuar rreth së kaluarës. Ntombi thotë se ajo dëshiron t’u tregojë turistëve se Sovetoja sot ka ndryshuar, dhe nuk është më lagje e zaptuar nga krimi si më parë.

“Soveto njihet si një zonë e rrezikshme por jam e lumtur të them se nuk është më e tillë dhe shumica e të huajve që vijnë këtu e shohin këtë. Soveto është një zonë e mirë edhe thjesht për të ecur pasi njerëzit janë miqësorë siç e patë."

Kanë kaluar gati 20 vjet që nga përfundimi i aparteidit dhe lagja e vjetër e Nelson Mandelës pasqyron si përparimin e bërë edhe problemet që ende mbeten për Afrikën e Jugut.
XS
SM
MD
LG