Lidhje

Kompania "Apple" mbush 40 vjet


Dyzet vjet më parë, më 1 prill 1976, kompjuteri Apple, nuk ishte gjë tjetër veçse dy të rinj në një garazh të Kalifornisë. Sot, Apple është njëra prej kompanive më të mëdha në botë. Ndikimi që do të kishin themeluesit e kompanisë Steve Jobs dhe Steve Wozniak në atë kohë ishte i paimagjinueshëm.

Inxhinieri Bob Lash e ndërtoi këtë kompjuter primitiv në mesin e viteve 70-të. Në atë kohë, vetëm universitetet apo korporatat e mëdha kishin kompjuter.

“Që të kishte një kompjuter për përdorim privat, duhet ta ndërtoje vetë,” - thotë ai.

Ai bëri pikërisht këtë me Klubin "Homebrew," një grup hobistësh ku merrte pjesë edhe bashkëthemeluesi i firmës Apple, Steve Wozniak. Një mbrëmje Wozniak solli në klub kompjuterin e parë Apple. Një pajisje e vogël dhe më e pavarur se sa të tjerat:

"M'u duk tërheqës. Ideja për ta patur kompjuterin në një panel të cilit i shton vetëm tastierën, mu duk shumë e mirë.”

Etika e tërheqjes, thjeshtësisë dhe funksionit do të bëhej një prej tipareve të firmës Apple. Kompania nuk shpiku kompjuterat personalë, apo telefonat inteligjentë, thotë Dag Spicer, kurator në Muzeumin e Historisë së Kompjuterave.

"Çfarë është shpikja? A duhet që gjithmonë të shpikim diçka të re, apo mund të marrësh diçka që egziston dhe ta përpunosh e ta bësh të bukur?”

Pamja e jashtme dhe lehtësia e përdorimit ishin synimet e Steve Jobs. Një avancim i madh do të vinte në vitin 1984 me kompjuterin Macintosh:

“Nuk është si një kompjuter i madh dhe i frikshëm. Madje nuk duket fare si kompjuter. Ishte një hap i madh psikologjik, i bërë qëllimisht, me ndërgjegje.”

Macintoshi solli në treg modelin e klikimit. Ja ç’thotë Bruce Damer pronar i firmës Digibarn:

“Ishte mrekulli. Kishim përpara një kuti të vogël për mendjen.”

Bruce Damer mbledh historinë e kompjuterëve në DigiBarn pranë Luginës Silikon. Ai thotë se para Macintosh-it, duhet të dije një gjuhë speciale për të punuar me një kompjuter.

“Në atë kohë kishte vetëm tekst. Ky ishte një revolucion sepse mundësoi futjen e fotove në ekran, të ikonave dhe lëvizjen e tyre.”

Zoti Damer thotë se Macintoshi ndryshoi marrëdhënien me kompjuterin:

“Kompjuteri u bë një mik me të cilin mund të komunikoje.”

Ai thotë se lehtësia e përdorimit kanë mundësuar pranimin e kompjuterave në jetën e njeriut.

Ky është garazhi ku Steve Jobs dhe Steve Wozniak ndërtuan 50 kompjuerat e parë Apple 1. Vizitorët janë të shumtë.

Steve Jobs vdiq në vitin 2011, ndërsa Wozniak u largua nga kompania në vitin 1985. Por shtëpia private është sot një objekt turistik.

XS
SM
MD
LG