Lidhje

Privatësia dhe tensionet Apple-FBI


Mbështetësit e kompanisë Apple në kundërshtimin e saj për të plotësuar kërkesën e FBI-së që të zhbllokojë një telefon iPhone të përdorur nga një autor vrasjesh masive, thonë se janë duke planifikuar protesta në më shumë se 40 qytete, duke përfshirë edhe selinë e FBI-së në Uashington.

Një grup i të drejtave dixhitale i quajtur Lufta për të Ardhmen po organizon aktivitete në dyqanet e kompanisë Apple në Nju Jork, San Francisko, Miniapolis, Hong Kong dhe Londër.

Grupi thotë se mbështejta e përpjekjeve për të mbrojtur sigurinë e të dhënave personale është tepër e rëndësishme dhe se pajisjet do të bëheshin më të pambrojtura nëse qeveria e fiton betejën ligjore ndaj kompanisë Apple.

Autoritetet amerikane duan ndihmën e kompanisë Apple për të zhbllokuar një telefon të përdorur nga Syed Rizwan Farook, i cili së bashku me gruan e tij Tafsheen Malik, vrau 14 persona vitin e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë.

Apple ka refuzuar ta bëjë këtë, duke thënë se FBI po kërkon krijimin e një programi deshifrues, i cili nëse bie në duar të gabuara, shumë përdorues të kompanisë Apple do të mund të bëheshin objekt i kërkimeve në telefonat e tyre.

Themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates i tha gazetës Financial Times se qeveria nuk është duke kërkuar krijimin e një dere të pasme, por thjeshtë informacione për një rast të veçantë.

"Apple ka qasje në informacione. Ata thjeshtë po refuzojnë ta japin këtë qasje dhe gjykatat do t’u tregojnë atyre nëse ata do ta bëjnë këtë apo jo", tha ai.

Një gjykatës federal urdhëroi kompaninë Apple të ndihmojë FBI-në javën e kaluar, dhe qeveria paraqiti një mocion duke i kërkuar gjykatës që ta detyrojë kompaninë Apple ta zbatojë kërkesën.

Urdhëri thotë se Apple duhet të ndihmojë autoritetet të anashkalojnë një funksion auto-fshirës që shuan të dhënat, pas 10 përpjekjesh të pasuksesshme për të gjetur fjalëkalimin e duhur. FBI nuk e di fjalëkalimin e Farook-ut, dhe ka nevojë për eliminimin e funksionit auto-fshirës për të filluar përpjekjet për gjetjen e fjalëkalimit, që do t’u mundësonte agjentëve hapjen e telefonit.

Apple ka kohë deri të premten për të paraqitur kundërshtimin e saj ndaj kërkesës së qeverisë, dhe një seancë dëgjimore për rastin është planifikuar të mbahet më 22 mars.

Qendra Kërkimore Pew të hënën publikoi një sondazh me më shumë se 1000 njerëzve, 51 përqind e të cilëve thanë se Apple duhet të zhbllokojë iPhone-in dhe 38 për qind e të anketuarve mbështetën kompaninë Apple. Njëmbëdhjetë për qind nuk kishin asnjë opinion.

Një avokat që përfaqëson disa nga të afërmit e 14 njerëzve të vrarë në San Bernardino tha se së shpejti do të paraqesë një deklaratë në mbështetje të urdhrit të gjyqtarit që i kërkon kompanisë Apple të ndihmojë autoritetet.

Apple po vazhdon luftën e saj kundër urdhërit të gjykatës. Të hënën shefi ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook u dërgoi një letër klientëve të firmës duke u thënë se kërkesat e qeverisë amerikane janë "trishtuese".

Në letrën e tij Tim Cook thotë se gjigandi i teknologjisë “nuk ka simpati për terroristët”. Por ai shton se në se “Apple” i bindet kërkesës së autoriteteve amerikane për të gjetur një mënyrë për të depërtuar tek iPhone-i i Syed Rizwan Farookut, kjo do t’i hapte dyert kërkesave të pafund për telefona të tjerë në të ardhmen.

Një ndërhyrje e tillë, thotë Cook, do t’i bënte përdoruesit e produkteve “Apple”, të prekshëm ndaj kërkimeve për të dhënat e tyre financiare, të dhënat shëndetësore, si dhe për të monitoruar vendndodhjen e tyre dhe fotografitë që ata marrin.

“Asnjë individ me arsye nuk e sheh të pranueshëm këtë veprim”, shkruan Cook në letrën e tij.

Drejtori i FBI James Comey këmbënguli se qeveria nuk po përpiqet të vendos ndonjë precedent për rastet e ardhshme, ose "për ta lënë të lirë një çelës kryesor në vend", gjë që Cook thotë se do të ndodhë.

Shefi i FBI-së Comey tha se kjo "është për viktimat dhe sjelljen e drejtësisë," dhe se tensionet mes privatësisë dhe sigurisë nuk duhet të zgjidhen nga korporatat apo FBI-ja, por nga populli amerikan.

Tim Cook ka thënë se në qoftë se FBI fiton rastin dhe Apple detyrohet të krijojë një program për zhbllokimin e iPhone-ve të saj, agjentë të zbatimit të ligjit nga mbarë vendi "tashmë kanë thënë se kanë qindra iPhone që ata duan që Apple t’i zhbllokojë".

Ai tha se Apple beson se "e vetmja mënyrë për të garantuar se një mjet i tillë i fuqishëm nuk do të abuzohet dhe nuk do të bjerë në duar të gabuara është mos krjimi i një programi për zhbllokimin e iPhone-ve." Cook gjithashtu sugjeroi formimin e një komisioni "apo paneli tjetër të ekspertëve për inteligjencën, teknologjinë dhe liritë civile për të diskutuar pasojat për zbatimin e ligjit, sigurinë kombëtare, privatësinë dhe liritë personale", duke shtuar se Apple do të merrte pjesë në një përpjekje të tillë.

Ky është rasti më i fundit që nxjerrë në pahë frustrimet e zyrtarëve të zbatimit të ligjit të cilët ankohen se metodat e reja të kodimit të përdorur nga kompanitë si Apple po i vështirësojnë përpjekjet e tyre për të kryer hetime që përfshijnë përdorimin e teknologjisë nga ana e kriminelëve të dyshuar. Apple ka forcuar kodimet e telefonave të saj në vitin 2014 mes shqetësimeve në rritje të publikut në lidhje me privatësinë dixhitale.

XS
SM
MD
LG