Lidhje

Imigrantët në Arabinë Saudite


Dhjetra mijëra punonjës të huaj janë duke u larguar nga Arabia Saudite, ndërsa po kryhen kontrolle të forta ndaj imigrantëve të paligjshëm. Analistët thonë se dëbimi i imigrantëve synon përmirësimin e gjendjes për banorët sauditë, ndërkohë që niveli i papunësisë në vend është 12 për qind. Por grupet e të drejave të njeriut thonë se imigrantët në Arabinë Saudite janë në gjendje të vështirë, në kushtet kur ndodhen në mesin e policisë dhe punëdhënësve abuzues.

Një autokolonë autobuzësh mbërriti para disa ditësh nga Riadi në kufirin mes Arabisë Saudite me Jemenin. Në to ndodheshin qindra punëtorë të dëbuar nga Arabia Saudite, më të fundit në një eksod të rreth 65 mijë emigrantëve.

Mes tyre ishte edhe Ahmed Amin, i cili thotë se jemenasit janë kryesisht ata që vihen në shënjestër.

Ahmedi thotë se masat shtypëse ndaj emigrantëve synojnë kryesisht dëbimin e jemenasve, sepse edhe në se je në rregull me statusin e vizës, nuk mund të punosh. Puna thotë ai, të mjafton vetëm për mbuluar koston e sponsorizimit të punëdhënësit. Nuk je në gjendje të përballosh me rrogën pagesën për zyrën e punës, apo për pasaportën, shton ai.

Lilian Ambuso nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se shumë nga të kthyerit janë në një gjendje të keqe.

"Në shumicën e rasteve ata janë pothuajse të dehidratuar. Kjo në saje të faktit se disa prej tyre kanë qëndruar të ndaluar për disa kohë."


Në Arabinë Saudite ka rreth 9 milionë punëtorë të huaj. Autoritetet i filluan dëbimet në fillim të nëntorit, pasi u dhanë punonjësve të huaj një amnesti 7-mujore për të ndrequr ndonjë mospërputhje të vizave, gjë që i detyroi dhjetra mijëra punonjës të largohen vullnetarisht prej andej.

Në zonat e varfëra të kryeqytetit pati përleshje të dhunshme mes imigrantëve dhe policisë. Të paktën 3 persona u vranë.

Këto masa shtypëse ndaj imigrantëve duhen parë në një kontekst më të gjerë, atë të kryengritjes arabe në mbarë rajonin që nga viti 2011, thotë Jane Kinninmont nga Instituti i Politikave Chatham House.

“Përgjigja e qeverive të Gjirit Persik ka qenë t'i shohë protestat në mbarë rajonin pjesërisht si përgjigje ndaj problemeve ekonomike, sidomos një mungesë pune për rininë. Pra, përgjigja e tyre politike është prirur duke shpenzuar më tepër para, me synimin për shtuar vendet e punës në sektorin publik; po ashtu duke u përpjekur të punësojë më tepër qytetarë vendas, kjo në kurriz të imigrantëve. "

Sipas ligjeve të Arabisë Saudite, shumë punonjës të huaj e kanë të pamundur të largohen nga vendi, thotë Adam Coogle, i organizatës Human Rights Watch.

“Mund të shtrosh pyetjen, në se gjendja atje është kaq e keqe, përse nuk largohen prej andej punëtorët imigrantë? Problemi është se ata nuk munden të ikin prej andej. Për t'u larguar nga Arabia Saudite ata duhet të sigurojnë një vizë daljeje të nënshkruar nga punëdhënësi i tyre ligjor, gjë që mund të jetë e vështirë për ta."

Punëdhënësit në Arabinë Saudite do ta kenë të vështirë t'i zëvendësojnë punëtorët, thotë Jane Kinninmont e institutit Chatham House.

“Disa prej tyre i kanë aftësitë e nevojshme; por disa të papunë do të argumentonin që të paktën të gjenin punë në fushën e shërbimeve, një etikë pune të cilën shumë sauditë të pasur nuk e kanë. Një tjetër çështje është paga. Punëdhënësit i paguajnë shumë pak imigrantët, sidomos ata që janë të paligjshëm."

Masat shtypëse ndaj imigrantëve në Arabinë Saudite merren, ndërsa grupe të të drejtave të njeriut paralajmërojnë për shtimin e rasteve të abuzimit të punonjësve imigranatë në sektorin e ndërtimit në Katarin fqinj, që është duke ndërtuar objekte me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit më 2022.
XS
SM
MD
LG