Lidhje

Arkansa: Dy ekzekutime brenda tre orësh


Shteti Arkansa ekzekutoi mbrëmë dy persona brenda një harku kohor prej tre orësh.

Autoritetet po përpiqen të kryejnë dënimet me vdekje për një numër të burgosurish përpara fundit të muajit, pasi ilaçet që përdoren për injektimet vdekjeprurëse nuk do të jenë më të disponueshme.

I pari që u ekzekutua ishte 52 vjeçari Jack Jones, i dënuar për vrasjen e Mary Phillips në 1995, si dhe për tentativën për të vrarë vajzën e saj 11 vjeçare.

Avokatët e 46 vjeçarit Marcel Williams, i planifikuar të ekzekutohej i dyti, u përpoqën ta shtyjnë procesin duke ngritur shqetësime mbi mënyrën sesi u ekzektua Jones. Por pas një orë gjyqtari i hapi rrugë ekzekutimit të dytë.

Williams ishte dënuar me vdekje për përdhunimin dhe vrasjen në vitin 1994 të 22 vjeçares Stacy Errickson, të cilën e rrëmbeu në një stacion benzine.

Përpara ekzekutimit avokatët e dy të dënuarve, pretenduan se procesi i injektimit të ilaçeve vdekjeprurës do ishte i dhimbshëm për klientët e tyre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetsore të tyre. Ata sollën si rast përdorimin e dështuar të qetësuesve në ekzekutime të mëparshme në shtete të tjera.

Guvernatori i Arkansasit Asa Hutchinson kishte planifikuar tetë ekzekutime për këtë muaj, por gjykatat urdhëruan pezullim për katër prej tyre. Javën e kaluar Arkansasi kreu ekzekutimin e parë që nga viti 2005. Të enjten është planifikuar një tjetër ekzekutim.

Gjatë 2017 në Shtetet e Bashkuara janë ekzekutuar nëntë persona deri tani ndërkohë që vitin e kaluar u kryen 20 ekzekutime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG