Lidhje

Udhëheqësi opozitar armen në rrugë për t'u bërë kryeministër


Partia Republikane në pushtet në Armeni, ka lënë të kuptohet se do të mbështesë synimet e udhëheqësit të opozitës, Nikol Pashinian për t'u bërë kryeministër i përkohshëm, në votimet e caktuara për datën 8 maj në parlament.

Vendimi pasoi disa javë protestash që çuan në dorëheqjen e ish kryeministrit Serzh Sargsyan dhe kulmuan me bllokada dhe greva. Republikanët bllokuan Pashinianin në votimet e së martës në parlament, duke bërë që protestuesit të rikthehen në rrugë.

Pashinian bëri thirrje të enjten për pezullimin e demonstratave derisa të gjitha palët po përpiqen të negociojnë një zgjidhje politike. Të enjten zëvendëskryetari i republikanëve, Armen Ashotyan, u tha gazetarëve se partia e tij do të mbështes kandidaturën e Pashinianit, nëse ai arrin të fitojë të paktën një të tretën e votave në parlament.

Nëse votimet e 8 majit dështojnë të zgjedhin kryeministrin, parlamenti do të shpërbëhet dhe do të organizohen zgjedhjet e reja.

Protestat shpërthyen muajin e kaluar kundër ndryshimeve kushtetuese dhe vënies në detyrë si kryeministër të Serzh Sargsyan. Kritikët thonë se me ndryshimet e fundit të kushtetutës armene, Sargsyan, i cili më parë ka mbajtur postin e presidentit për dy mandate pesë vjeçare, praktikisht do të bëhet udhëheqës i përjetshëm i vendit.

Protestat u rritën edhe për shkak të pakënaqësive me shkallën e varfërisë, korrupsionit dhe qeverisjes së dobët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG