Lidhje

Kryeministri Nikol Pashynian fitues i zgjedhjeve në Armeni


Kryeministri në detyrë i Armenisë, Nikol Pashinyan, arriti të mbajë pushtetin në zgjedhjet parlamentare të së dielës, pavarësisht se është fajësuar gjerësisht për një humbje ushtarake vitin e kaluar, në enklavën e Nagorno-Karabakhut.

Sipas rezultateve paraprake, Partia “Kontrata Civile” e Nikol Pashinyanit, fitoi 53.92 për qind të votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme të së dielës.

“Aleanca Armene” e ish presidentit Robert Kocharyan, siguroi 21.04 për qind. Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, kjo parti vuri në dyshim besueshmërinë e rezultatit.

Qeveria armene shpalli zgjedhjet e parakohshme në një përpjekje për t'i dhënë fund një krize politike që shpërtheu pasi që forcat etnike armene humbën një luftë gjashtë-javore kundër Azerbajxhanit vitin e kaluar dhe lëshuan territorin brenda dhe rreth rajonit të Nagorno-Karabakhut.

Armiqësitë shkaktuan shqetësime ndërkombëtare meqë rajoni i gjerë i Kaukazit Jugor është një korridor për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz natyror në tregjet botërore.

Nikol Pashinayn, 46 vjeç, u përball me protesta në rrugë pas disfatës dhe me kërkesa për dorëheqjen e tij lidhur me kushtet e një marrëveshje paqeje nën të cilën Azerbajxhani rimori kontrollin e territorit që kishte humbur gjatë një lufte në fillim të viteve 1990.

Vetë zoti Pashinyan e ka cilësuar marrëveshjen si një katastrofë, por tha se ishte detyruar ta nënshkruante atë në mënyrë që të parandalonte humbje më të mëdha në jetë njerëzore dhe humbje territoresh.

Ai shkroi në rrjetin twitter se partia e tij do të ketë një shumicë kushtetuese - të paktën 71 deputetë nga 105 - dhe "do të formojë një qeveri të udhëhequr nga unë".

Nikol Pashinyan tha se Armenia do të forcojë lidhjet me grupet rajonale të drejtuara nga Rusia, Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EAEU).

Armenia njihet si një vend aleat i ngushtë i Moskës dhe Rusia ka një bazë ushtarake në këtë vend. Megjithatë, zoti Pashinyan, i cili erdhi në pushtet mes protestash dhe me një agjendë antikorrupsion në vitin 2018, ka pasur marrëdhënie më të ftohta me Kremlinin.

Zhvillimet në Armeni po ndiqen nga afër edhe nga Turqia, e cila mbështeti Azerbajxhanin në konfliktin e vitit të kaluar.

Rezultatet përfundimtare do të shpallen një javë pas zgjedhjeve, citoi të hënën agjencia Interfax shefin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Tigran Mukuchyan, sipas të cilit, rezultatet i dhanë zotit Pashynian të drejtën të formojë qeverinë pa partitë e tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG