Lidhje

Ceremoni përkujtimore për viktimat armene


Presidenti armen Serge Sarkisian falënderoi udhëheqësit botërorë, të cilët morën pjesë në një ceremoni përkujtimore për viktimat e një vrasjeje masive të armenëve nga turqit osmanë 100 vjet më parë. Turqia mohon se vrasjet e armenëve përbënin gjenocid dhe proteston ndaj çdo qeverie që përdor këtë term.

Presidenti armen Serge Sarkisian tha se prania e udhëheqësve, si presidenti i Francës, i Rusisë, i Serbisë dhe i pjesës greke të Qipros, konfirmon përkushtimin e tyre ndaj vlerave njerëzore, duke thënë se asgjë nuk harrohet.

Presidenti francez Francois Hollande tha se Franca, e cila ka një komunitet mjaft të madh armen, kurrë nuk do të harrojë humbjen e armenëve të vrarë nga turqit, të cilët besonin se armenët mund të renditeshin në krah të armikut të tyre, Rusisë, gjatë luftës:

"Në emër të Francës, e kisha për detyrë të isha i pranishëm në Jerevan sot, më 24 prill 2015, për të shënuar njëqind vjetorin e gjenocidit. Përkulem para kujtimit të viktimave dhe dëshiroj t'u them miqve tanë armenë se ne kurrë nuk do të harrojmë tragjedinë që pësuan njerëzit tuaj."

Foli edhe Presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se nuk mund të ketë justifikim për vrasjet masive.

Turqia mohon se vrasjet e armenëve nga turqit osmanë ishin gjenocid. Ajo thotë se armenët gjetën vdekjen në një luftë civile, ku ata ndihmoheshin nga rusët dhe se numri i të vdekurve ishte shumë më pak se 1.5 milion.

Turqia proteston zyrtarisht kundër çdo qeverie që i quan vrasjet gjenocid. Ajo tërhoqi ambasadorin e saj nga Vatikani këtë muaj, kur Papa Françesku e cilësoi masakrimin e armenëve “gjenocidin e parë të shekullit të njëzetë”.

Presidenti amerikan Barak Obama bëri dje një deklaratë, ku përkujtonte vrasjet, duke i cilësuar si “masakra”, “gjakderdhje të tmerrshme” dhe “dhunë e llahtarshme”, por nuk përdori fjalën “gjenocid”. Deklarata zemëroi grupet armeno-amerikane të cilat thanë se presidenti duhej të kishte mbajtur një qëndrim më të fortë.

Po dje, presidenti gjerman Joachim Gauck për herë të parë i quajti vrasjet gjenocid dhe tha se Gjermania mban një pjesë të përgjegjësisë.

Gra, burra, fëmijë e pleq u dërguan në marshimin e vdekjes, të dëbuar pa asnjë mbrojtje dhe pa ushqime në stepa dhe shkretëtirë,” tha ai.

Ai tha gjatë një ceremonie në Katedralen e Berlinit se si aleatë të Perandorisë Osmane gjatë luftës, ushtarët gjermanë morën pjesë në planifikimin dhe deportimin e armenëve.

XS
SM
MD
LG