Lidhje

Armët e Sirisë, sot qëndrimi i Tiranës


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama pritet që sot të shprehet mbi vendimin për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Burime pranë qeverisë i thanë Zërit të Amerikës se gjasat janë që Shqipëria të mund të tërhiqet nga bisedimet për këtë cështje. Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu në një intervistë për emisionin Top Story në Top Channel tha se një përgjigje negative nga ana e Shqipërisë do të ishte zhgënjyese për Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë në vend klima mbetet e tensionuar. Dje vendi u përfshi nga një valë protestash, ndërsa në Tiranë grupe të rinjsh që kundërshtojnë shkatërrimin e arsenalit sirian kanë qëndruar edhe në orët e natës përpara godinës së qeverisë.

Ndërsa Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike pritet të publikojnë sot planin për shkatërrimin e arsenalit kimik të Sirisë, kryeministri Edi Rama parashikohet që të shpjegojë pozicionin përfundimtar të Shqipërisë në këtë operacion. Ndonëse kontaktet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për këtë problem kanë nisur që në muajin shtator, zoti Rama ka folur deri më tani dy herë për këtë cështje, dhe vetëm ditët e fundit, të martën dhe të mërkurën e kaluar, por duke i rritur më shumë pikëpyetjet.

Në deklarimin e parë, në përgjigje të një pyetje gazetarësh, ai i mëshoi më së shumti faktit se qeveria nuk ishte ende dhe mund të mos ishte në pikën që do të duhej të merrte ndonjë vendim, duke e bërë kështu të largët perspektivën e kësaj cështjeje. 24 orë më pas ai u shfaq vetë të rifliste mbi këtë temë, dhe këtë herë me një fokus të spostuar mbi garancitë me të cilat do të duhej lidhej një vendim pozitiv i Shqipërisë, madje duke folur edhe për përfitimet e mundshme të vendit.

E gjitha kjo panoramë e zotit Rama duket se krijoi edhe me shumë paqartësi të cilat nxitën gati gati një valë pakënaqësie dhe paniku në rritje. Si asnjëherë më parë, manifestimet e protestës gjetën një mbështetje jo të vogël popullore, ndërsa u shtrinë në qytetet kryesore të vendit. Në Tiranë ato nisën që në orët e para të ditës, përpara parlamentit dhe vazhduan edhe në orët e natës përpara selisë së qeverisë. Të bindur se ndodheshin atje për një cështje që nuk ka lidhje me lojërat e politikës së ditës, një pjesë e manifestuesve, shumica të rinj të organizuar përmes thirrjeve në rrjete sociale, kundërshtuan praninë pasdite mes tyre të ish kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të partisë demokratike Lulzim Basha, të cilët nuk e zgjatën më shumë se disa minuta qëndrimin e tyre.

Nga qeveria dje nuk pati asnjë komunikim. Megjithatë Zëri i Amerikës mësoi nga burime pranë saj se varianti më i mundshëm duket të jetë një tërheqje nga bisedimet për të sjellë në Shqipëri armët kimike siriane. Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, duke folur mbrëmë në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla në televizionin Top Channel, tha se një përgjigje negative do të ishte zhgënjyese për Shtete e Bashkuara, duke saktësuar se ato kanë “shpenzuar shumë kohe dhe energji për të paraqitur një argumentim i cili në fakt flet për një asistencë për siguri, për garantimin e ekspertizës më të mirë dhe teknologjisë më të mirë për të kryer këtë operacion”, tha zoti Arvizu duke nënvizuar se në përfundim të saj Shqipëria do të dilte dhe më e pastër pasi asaj i ishte ofruar që në ndërkohë të asgjësoheshin edhe vetë mbetjet e saj problematike.

Për këtë cështje opozita vetëm dje u pozicionua qartë duke u shprehur kundër e duke propozuar organizimin e një referendumi. Qëndrimet e saj, sipas ambasadorit Arvizu, kanë trazuar Uashingtonin. Ambasadori tregoi se ai kishte patur kontakte direkte me kryetarin demokrat Lulzim Basha të cilit i kishte shpjeguar “rëndësinë kritike që kjo cështje kishte për Shtetet e Bashkuara”. Ai tha se kishte patur mirëkuptimin e zotit Basha, por pas qëndrimeve të djeshme të opozitës, ambasadori Arvizu u tregua i ashpër në reagimin e tij ndërsa ngriti pyetjen nëse zoti Basha “e kishte harruar apo injoruar” premtimin ndaj Uashingtonit, “apo nuk është vërtetë ai në krye të partisë demokratike”?

Shumë dilema dhe paqartësi për këtë cështje ndoshta do të marrin një përgjigje sot. Por cilido qoftë qëndrimi që pritet të bëjë publik kryeministri Rama, e sigurt është që ai nuk do të mund të dalë i padëmtuar nga gjithë kjo histori.
XS
SM
MD
LG