Lidhje

Turqi, arrest për 6 aktivistë të të drejtave të njeriut


Një gjykatë turke vendosi sot arrestimin zyrtarisht të gjashtë aktivistëve të të drejtave të njeriut, përfshirë drejtorin e “Amnesty International” për Turqinë, të cilët janë ndaluar prej disa javësh nën akuzën se kanë ndihmuar një grup terrorist.

Nuk është ende e qartë se për cilën organizatë terroriste bëhet fjalë.

“Amnesty International” e dënoi vendimin, duke e quajtur atë "goditje të re në kuadër të masave të marra nga qeveria pas grushtit të shtetit" dhe "gjueti shtrigash të motivuar politikisht".

"Mësuam sot se të ngrihesh për të drejtat e njeriut cilësohet krim në Turqi," tha Sekretari i Përgjithshëm i “Amnesty International” Salil Shetty.

Sipas tij "ky është një moment i së vërtetës për Turqinë dhe për bashkësinë ndërkombëtare".

Drejtori i “Amnesty International” për Turqinë Idil Eser dhe përfaqësuesja e Koalicionit të Grave Ilknur Ustun, si dhe disa aktivistë të tjerë u ndaluan nga policia në Stamboll më 5 qershor, ndërsa merrnin pjesë në një seminar. Sipas “Amnesty International” për 28 orë atyre iu mohua mundësia e një avokati apo e drejta për të kontaktuar anëtarët familjes.

Më pas Ilknur Ustun dhe tre të tjerë u liruan nga paraburgimi, por ata nuk lejoheshin të udhëtonin jashtë vendit, si dhe iu kërkohej të raportonin rregullisht në polici.

Veprimet e qeverisë pas grushtit të shtetit kanë rezultuar në largimin nga puna të më shumë se 100 mijë personave si dhe burgosjen e 60 mijë të tjerëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG