Lidhje

Si t’i përgjigjesh urrejtjes me art


Gjatë një tubimi të supremacistëve të bardhë në fillim të këtij muaji në Sharlotsville të Virginias u shfaq simboli nazist “swastika”. Tubimi solli dhunë dhe përçarje në Shtetet e Bashkuara, si dhe nxiti një debat kombëtar se si duhet reaguar në këto raste. Në Gjermani, ku “swastika” është e ndaluar me ligj, një grup aktivistësh kanë marrë përsipër ta transfromojnë këtë simbol urrejtjeje në diçka të bukur dhe pozitive përmes artit graffiti.

Kur artistëve të graffitit në Berlin u nevojiten pajisje për të shprehur mendimet e tyre mbi muret e qytetit, shumë prej tyre vijnë këtu.

Ibo Omari ka një dyqan me mjete arti dhe menaxhon klubin e rinisë “Trashëgimtarë kulturorë”, një forum me artistë të rinj, ku shkëmbehen ide për ta përdorur artin si një armë kundër mesazheve të urrejtjes dhe simbole si swastika.

"Është e rëndësishme t’i nxisësh të rinjtë për veprim dhe t’i inkurajosh ata të marrin përgjegjësi, në mënyrë që të mos kalojnë indiferentë para simboleve të urrejtjes, por tu themi personave përgjegjës se një simbol urrejtjeje duhet pikturuar me ngjyra të ndezura mbi mur; kjo i vë ata nën presion që ta heqin atë. Kur nuk e bëjnë një gjë të tillë, ne u ofrojmë ndihmë dhe u themi: “Do të donim ta zbukuronim!”. Në të gjitha rastet, pa përjashtim, ne marrim mirëkuptimin e personave përgjegjës dhe mund ta zbukurojmë atë pa nevojën e një procesi burokratik.”- thotë Omar.

Në vitin 2015, në dyqanin e Omarit erdhi një burrë për të blerë bojë me spruco, për të mbuluar një “swastika” në një park, ku po luante djali i tij. Dy javë më vonë, Omari thotë se u trondit shumë kur mësoi se në një park patinazhi ishin vizatuar të tjera swastika.

Kjo e shtyu atë të vepronte.

16-vjeçari Philip është njëri prej artistëve të rinj, që i janë bashkuar nismës së Omarit “PaintBack” - “Vizato përsipër”. Ai mendon se në vendin e tij nuk ka vend për racizëm.

“Kur në Berlin vijnë turistë dhe shohin një mur ku është vizatuar një swastika, ata mendojnë: “Çfarë po ndodh këtu? Kudo ka nazistë!” Ne nuk e duam këtë. Një simbol artistik duket qartë se ngjan shumë më mirë se sa një mesazh i shëmtuar…pastaj njerëzit e vizitojnë qytetin duke buzëqeshur,”- thotë Philip.

Një video promovuese për nismën “PaintBack” evidenton rreth 25

swastika në Berlin, të transformuara nga grupi Omarit. Ky program po imitohet tani edhe në qytete të tjera gjermane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG