Lidhje

Në Shqipëri nis dialogu për reformën zgjedhore


Në Tiranë, partitë kryesore politike nisën kërkesat e para mbi reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se kjo do ta reformojë edhe politikën në tërësi.

Ndërsa socialistët pohuan se janë gati të fillojnë me reformën zgjedhore qysh javën tjetër.

Institucionet e reja shtetërore sapo janë konstituuar pas zgjedhjeve të sapokaluara parlamentare. Parlamenti dhe qeveria janë ende në mbledhjet e para, ndërsa opozita nisi sot një përpjekje për reformimin sistemit zgjedhor, si hapi i parë për reformimin e politikës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi se politika është burimi i të gjithë të këqijave dhe se Shqipëria meriton dhe duhet të ketë demokraci të vërtetë, një qeveri për qytetarët, luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj hapi i parë është reforma zgjedhore.

“Ne jemi të hapur për modelin, por ai duhet të plotësojë sipas Partisë Demokratike, tre kushte: E para, të ofrojë votimin dhe numërimin elektronik, e dyta, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike dhe e treta, t’u japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në Parlament dhe në të gjitha organet e tjera vendimmarrëse” - tha ai.

Zoti Basha tha se reforma zgjedhore do t'i japë fund manipulimit dhe shkatërrimit të zgjedhjeve.

Kjo reformë, sipas tij, do të sigurojë votat për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, brenda dhe jashtë vendit.

Edhe Partia Socialiste shprehu menjëherë gadishmërinë për të nisur reformën zgjedhore qysh javën tjetër.

“Ne jemi gati që të ulemi me opozitën për reformën zgjedhore qysh javën tjetër në parlament, pa vendosur kushte. Nëse duhet të kishte kushte, i vetmi mund të ishte garantimi i votës së emigrantëve” - tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Opozita mendon nga ana tjetër, se marrëveshja e 18 majit Rama - Basha u asgjësua nga qeveria dhe se reforma zgjedhore është e vetmja pikë bashkëpunimi me qeverinë, për të cilën jep vlerësimet më negative si për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve ashtu edhe për mënyrën e qeverisjes.

“Ne nisemi në këtë betejë, duke patur Edi Ramën përballë dhe jo në krah. Ai u rreshtua edhe kësaj radhe, sikundër në 2015-ën, sikundër edhe në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës në anën e atyre që ua mohojnë vullnetin qytetarëve përmes angazhimit të parave të pista, dhunës kriminale dhe interesave të tjera që nuk përfaqëosjnë interesat qytetareve. Ndaj ne e llogarisim Edi Ramën në këtë përpjekje jo si aleat për reformimin e sistemit politik, por si vetë problemin” - tha zoti Basha.

Por socialistët kanë ftuar opozitën në një bashkëpunim të vazhdueshëm për problemet madhore të vendit, sepse, sic tha ktyeministri Rama në parlament gjatë shpalosjes së programit të qeverisë, cështjet që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë.

“Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka ftuar opozitën në një tryezë të përhershme bashkëpunimi për temat më të rëndësishme që shqetësojnë vendin dhe për të miratuar me mirëkuptim platforma të diskutuara me kujdes. Kjo ftesë ende pret përgjigje” - tha zoti Balla.

Megjithë protestat dhe shkëmbimi i akuzave për manipulim zgjedhjesh dhe lidhjet me botën e krimit, qeveria dhe opozita po përpiqen në mënyra të ndryshme të vendosin një dialog dhe bashkëpunim për disa reforma me rëndësi, duke ajo sistemit gjyqësor e deri te propozimi më i fundit për reformim të sistemit zgjedhor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG