Lidhje

Assad kthehet në Siri pas vizitës në Moskë


Presidenti sirian Bashar al-Assad u kthye në atdhe sot pas një udhëtimi të pazakontë në Rusi për tu takuar me presidentin Vladimir Putin dhe për të diskutuar mbi fushatën ushtarake ruse në mbështetje të ushtrisë së Assadit. Nuk ka patur njoftime që Assadi të ketë udhëtuar jashtë vendit që nga viti 2011, i njëjti vit kur forcat e tij të sigurisë shtypën me dhunë protestat paqësore të cilat çuan më pas në luftë civile ku kanë humbur jetën rreth 240 mijë njerëz.

Gjatë takimit të së martës në Moskë, presidenti Assad falenderoi homologun rus për ndihmën duke thënë se pa Rusinë terrorizmi do të ishte përhapur në më shumë zona. Presidenti rus tha se veprimet ushtarake në Siri duhet të çojnë drejt një procesi politik:

“Përsa i takon rregullimit të situatës në Siri, ne mendojmë se bazuar në dinamikën pozitive të veprimeve ushtarake rregullimi afatgjatë mund të arrihet në bazë të një procesi politik me pjesmarrjen e të gjitha forcave politike, etnike dhe grupeve fetare. Në fund padyshim që fjala i takon popullit sirian.”

Qeveria siriane zakonisht u referohet luftëtarëve rebelë si “terroristë” ndërkohë që Rusia është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera se ka vënë në shënjestër kryengritësit dhe nuk i ka përqendruar sulmet ajrore ndaj militantëve të Shtetit Islamik.

Bisedimet në Moskë u bënë në të njëtën ditë që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit që ofron një kornizë në bazë të së cilës avionët e të dy vendeve duhet të mbajnë një distancë të sigurtë nga njëri-tjetri ndërsa veprojnë mbi qiejt e Sirisë.

XS
SM
MD
LG