Lidhje

Vritet zv/drejtori i të Hyrave Publike, Maqedoni


Të shtunën në Strugë është vrarë Argëtim Hasani, zëvendës-drejtor i Drejtorisë për të Hyra Publike. Vrasja me një breshëri plumbash ka ndodhur pas orës 13 në afërsi të stadiumit të qytetit nga një makinë në lëvizje, sipas dëshmitarëve, e cila është kthyer për herë të dytë për të shkrepur përsëri mbi trupin e viktimës. Hasani ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e qytetit.

Bashkimi Demokratik për Integrim i hodhi poshtë spekullimet se bëhej fjalë për një kuadër të saj dhe për motive brenda-partiake. BDI-ja tha se z.Hasani ishte anëtar i Demokracisë së Re dhe postin e kishte marrë nga koalicioni midis dy partive.
Ndërkohë, media lokale në Strugë njofton se vrasja kishte motive të hakmarrjes dhe se tashmë dihet autori i vrasjes, dhe ai është, sipas tyre, vëllai i shoferit të vrarë para pak muajsh të kryetarit të komunës së Strugës. Babai i autorit, thuhet, ta ketë njoftuar policinë për vrasjen e z.Hasani.

Autoritetet policore nuk kanë konfirmuar këto njoftime dhe nuk kanë dhënë hollësi të tjera mbi motivet e vrasjes.

Argëtim Hasani njihej edhe me një tjetër emër, Artan Musliu, dhe njihej si biznesmen në qytetin e Strugës.

XS
SM
MD
LG