Lidhje

Reagimi pas fjalimit të udhëheqëses së Mianmarit

  • Cindy Saine

Megjithëse presidenti Donald Trump e përqëndroi vëmendjen tek Koreja e Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të martën, mungesa e një udhëheqëse ishte e dukshme – Këshilltarja e shtetit të Mianmarit, Aung San Suu Kyi. Laureatja e çmimit Nobel të Paqes theu heshtjen për krizën me komunitetin Rohinga përmes një fjalimi të transmetuar në television nga Jangoni. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj fjalimit të saj ishte i përzier, me disa vëzhgues që thanë se fjalimi nuk ishte i fortë sa duhet për të ndalur mizoritë kundër komunitetit mysliman Rohingas në vendin e njohur dikur si Birmani.

Gjatë fjalimit të tij në OKB, presidenti amerikan Donald Trump nuk e përmendi krizën në Mianmar, ku më shumë se 400 mijë myslimanë Rohinga janë larguar për në Bangladesh për t’i shpëtuar dhunës në shtetin Rakhinë. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar forcat birmaneze të sigurisë se po përdorin taktika të spastrimit etnik kundër Rohingasve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se komuniteti ndërkombëtar është i shokuar nga përshkallëzimi dramatik i dhunës. Ai i bëri thirrje qeverisë së Mianmarit të ndërhyjë për të zgjidhur situatën në mënyrë paqësore.

“Më lejoni të theksoj përsëri se autoritetet në Mianmar duhet t’u japin fund operacioneve ushtarake, të lejojnë pa pengesë ndihmën humanitare dhe të njohin të drejtën e refugjatëve për t’u kthyer të sigurtë dhe me dinjitet. Qeveria duhet të trajtojë ankesat e Rohingasve, statusi i të cilëve ka mbetur i pazgjidhur për një kohë të gjatë".

Të martën paradite, udhëheqësja de-fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, foli për herë të parë rreth konfliktit në hollësi, pas kritikave nga komuniteti ndërkombëtar.

“Duam të mësojmë përse po ndodh ky eksod. Duam të bisedojmë me ata që janë larguar por edhe me ata që kanë qëndruar. Shumë nuk e dinë, por shumica e banorëve myslimanëve në shtetin Rakhinë nuk janë larguar. Më shumë se 50 përqind e fshatrave të myslimanëve janë të paprekura; ato janë siç ishin përpara se të ndodhnin sulmet”.

Qindra banorë të Jangonit demonstruan mbështetje për udhëheqësen e tyre, por aktivistët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut u shprehën të zhgënjyer me komentet e saj se nuk ishte në dijeni të dhunës që nxiti largimin e njerëzve të këtij komuniteti. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se reagimi ndaj fjalimit, ishte i përzier.

“Pakënaqësia ndaj fjalimit të saj ka të bëjë shumë me pritshmëritë jo realiste se sa është në gjendje të arrijë ajo si udhëheqëse. Ajo është udhëheqësja civile e qeverisë, dhe ky nuk është një vend ku mbretëron udhëheqja civile.”

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i ka bërë thirrje qeverisë së Mianmarit dhe ushtrisë të lehtësojë ndihmat humanitare për njerëzit e shpërngulur në zonat e prekura dhe për të trajtuar akuzat thellësisht shqetësuese për abuzime dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG