Lidhje

Australia dërgon policë në Ukrainën lindore


Australia ka dërguar në Londër 50 policë në pritje për t'u dislokuar në Ukrainën lindore, ku do të sigurojnë vendin e rrëzimit të aeroplanit malajzian. Ata janë pjesë e një ekipi ndërkombëtar të propozuar për këtë qëllim. Ndërkohë, trupat e dhjetra viktimave të tjera të avionit të rrëzuar malajzian, mbërritën në Hollandë nga Ukraina.

Kryeministri Tony Abbott tha se ministrat e jashtëm të Australisë dhe Holandës do të shkojnë në Kiev për të hartuar hollësitë e dërgimit të ekipit, i cili do të jetë nën autoritetin e OKB-së dhe do të merret me sigurimin e vendit të rrëzimit në një zonë të Ukrainës lindore që mbahet nga separatistët.

"Julie Bishop ministrja jonë e jashtme do të shkojë në Kiev së bashku me ministrin e jashtëm holandez. Ne do të kërkojmë një memorandum mirëkuptimi me Ukrainën për të lejuar policinë ndërkombëtare të punojë për të siguruar vendin e rrëzimit të avionit. Mbrëmë fola me Presidentin e Ukrainës Poroshenko dhe me presidentin rus Putin në lidhje me nevojën për të siguruar vendin e rrëzimit," tha kryeministri i Australisë.

Dje, dhjetra mijëra njerëz në Hollandë morën pjesë në ceremoni përkujtimore ndërkohë që atje arritën trupat e para të viktimave. Ndër të 298 viktimat, 193 ishin holandezë.

Analistët amerikanë të zbulimit kanë arritur në përfundimin se avioni malajzian u rrëzua nga një raketë ruse Buk, SA-11 dhe se ajo është lëshuar nga separatistët e patrajnuar, të cilët kanë menduar se po qëllonin një avion ukrainas.

Ndërkohë, një gazetar i pavarur që punon për rrjetin CNN është rrëmbyer në Ukrainën Lindore. CNN-i e bëri të ditur rrëmbimin e gazetarit Anton Skiba sot, dy ditë pasi disa separatistë të armatosur, sipas këtij rrjeti televiziv, e morën atë nga një dhomë hoteli në Donetsk. Gazetari mundi të flasë dje ne telefon me CNN-in dhe tha se po merrej në pyetje nga separatistët.

XS
SM
MD
LG