Lidhje

Australi: Arrestim për mbështetje terrorizmi


Policia në Australi arrestoi një person në lidhje me financimin e një shtetasi amerikan i cili mendohet se po lufton përkrah ekstremistëve islamikë në Siri.23-vjeçari i paidentifikuar u arrestua të martën gjatë kontrolleve në disa shtëpi në Melburn të Australisë jugore.

Policia Federale Australiane thotë se i dyshuari u përpoq t’i dërgonte 10,500 dollarë një shtetasi amerikan në Siri. Policia beson se i dyshuari vepronte i vetëm dhe nuk përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për publikun.

Gjithashtu, ata thonë se ky rast nuk kishte lidhje me 18-vjeçarin e dyshuar për terrorizëm, i cili vdiq i qëlluar me armë nga policia në Melburn javën e kaluar, pasi kishte goditur me thikë dy oficerë policie.

Kryeministri Tony Abbott u tha ligjvënësve pas arrestimit të së martës se dhjetëra australianë janë duke mbështetur në mënyrë aktive grupet e ekstremistëve islamikë jashtë Australisë.

“Janë rreth 60 australianë për të cilët e dimë që po luftojnë përkrah grupeve terroriste në Lindjen e Mesme. Janë fatkeqësisht edhe rreth 100 australianë që mbështesin grupet terroriste nëpërmjet rekrutimeve ose financimit të aktiviteteve. Dua ta bëj të qartë, se kushdo që mbështet terroristët është bashkëfajtor në veprat e tyre të lemerisshme. Kush mbështet terroristët po ve në rrezik jetët e australianëve, pasi aktiviteti terrorist në Lindjen e Mesme tashmë po shtrihet drejt Australisë.”

Australia, e cila po mbështet Shtetet e Bashkuara dhe po rrit reagimin kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, është venë në gjendje të lartë gadishmërie ndaj sulmeve të mundshme nga mbështetës të grupit militant.

Para dy javësh, policia ndaloi 16 persona në kontrolle kundër terrorizmit në Sidnei, dhe ngriti akuza ndaj një personi për bashkëpunim me një udhëheqës të Shtetit Islamik në Siri me qëllim prerjen e kokës së një personi të rastësishëm.

XS
SM
MD
LG