Lidhje

Van der Bellen: Do të jem president pro-evropian


Ish udhëheqësi i partisë së gjelbërt me prirje të majta Alexander Van der Bellen fitoi të dielën zgjedhjet presidenciale në Austri përballë kandidatitit të ekstremit të djathtë Norbert Hofer. Fitorja shihet si një goditje ndaj një vale në rritje të populizmit në Evropë të ndikuar prej dy zhvillimesh të rëndësishme siç ishte largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhja e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

45 vjeçari Hofer, që synonte të bëhej kandidati i parë i krahut të djathtë ekstrem, që fitonte zgjedhjet në mënyrë demokratike, që prej Luftës së Dytë Botërore, pranoi humbjen përballë profesorit të ekonomisë në pension, 72 vjeçarit Van der Bellen, menjëherë pas daljes së rezultatit.

Van der Bellen u tha gazetarëve se do të përpiqet të mbajë dyert e ekonomisë së Austrisë të hapura si dhe shtoi se do të jetë një president pro evropian.

Do të jem i hapur ndaj botës, një president pro evropian. Do të përpiqem të jem një president për ata që votuan pro dhe kundër meje, që votuan për mua pa hezitim apo u menduan për ta bërë. Do të përpiqem ashtu sikurse Heinz Fischer (ish presidenti austriak) të mbaj të hapura dyert e ekonomisë për Austrinë dhe ç’është më kryesorja do të jem një president i pavarur sikurse u përpoqa të jem një kandidat i pavarur përgjatë gjithë fushatës”, tha presidenti i zgjedhur Alexander Van der Bellen.

Ndërsa roli i presidentit në Austri është më shumë ceremonial, proçesi kishte marrë shumë vëmendje ndërkombëtare duke u konsideruar si tregues i përhapjes së populizmit dhe lëvizjes kundër klasës së vjetër politike që pason votimin në qershor për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe fitoren e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një konference për shtyp në Athinë, ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e komentoi humbjen e zotit Hofer si një zhvillim pozitiv kundër një vale populizmi që ka përfshirë Evropën.

Nëse ky është rezultati, kjo është një shenjë e mirë ndaj populizmit në Evropë. Jam veçanërisht i lumtur ta marr këtë lajm në djepin e demokracisë, në Greqi”, u tha gazetarëve ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier.

Kur mbeteshin vetëm votat e hedhura nëpërmjet postës për t’u numëruar, sondazhet treguan se Van der Bellen fitoi 53.3 % të votave ndërsa Hofer 46.7%. Rezultati, përfshirë votat e mbetura, pritet të dalë jo më vonë se dita martë.

Van der Bellen i cili mbështet fuqishëm Bashkimin Europian dhe është avokat i politikave liberale të migracionit, do të betohet në 26 janar.

XS
SM
MD
LG