I dyshuari për shpërthimet e mbrëmjes së të shtunës në qytetin e Nju Jorkut ku u plagosën 29 persona ndodhet tashmë në spital për shkak të plagëve të marra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Ndaj 28-vjeçarit, Ahmad Khan Rahami, prokurorët kanë ngritur pesë akuza për tentativë vrasjeje pasi ai plagosi dy oficerë policie.
Rahami u arrestua në Linden të Nju Xhersit, disa orë pasi policia e Nju Jorkut publikoi fotografinë e tij dhe njoftoi se kërkohej për t’u marrë në pyetje.
Hetuesit e pikasën atë në xhirimet e kamerave të sigurisë pranë vendndodhjes së bombave në lagjen Chelsea, në Manhattan, si dhe sërish në vendndodhjen e bombave të dyta, disa pallate më tej. Eksplozivi i dytë u gjet përpara se të shpërthente.
Bomba të tjera u gjetën të dielën në mëngjes në një kosh mbeturinash në stacionin e trenit në Elizabeth, të Nju Xhersit. Njëra prej këtyre bombave shpërtheu ndërsa roboti i policisë po mundohej ta çaktivizonte.
FBI synon të marrë në pyetje Rahamin edhe për një tjetër bombë që shpërtheu ditën e shtunë, në parkun Seaside të Nju Xhersit, ku për rrjedhojë u anullua një maratonë që do të bëhej në atë vend për të mbështetur një veprimtari bamirësie. Askush nuk u lëndua nga aishpërthim.
Nuk dihet ende motivi i Rahamit për vendosjen e këtyre bombave. Ai u lind në Afganistan dhe është shtetas amerikan i natyralizuar.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, u shpreh se Rahami është deri më tani i dyshuari i vetëm. Ai tha dje se ekzistojnë të gjitha bazat për t’i konsideruar këto shpërthime si akte terrorizmi. FBI-ja ndërkohë po shqyrton mundësinë e lidhjeve me grupe të huaja terroriste.