Lidhje

Autoritetet e sigurisë rrugore hetojnë zjarrin në makinën Chevrolet Volt


Autoritetet e sigurisë rrugore hetojnë zjarrin në makinën Chevrolet Volt
Autoritetet e sigurisë rrugore hetojnë zjarrin në makinën Chevrolet Volt

Sekretari amerikan i Transportit Ray LaHood tha se makina Volt, modeli i ri elektrik i markës Chevrolet, nuk është e rrezikshme për t’u përdorur edhe pse zyrtarët federalë të sigurisë po hetojnë mbi zjarrin e nisur në baterinë e kësaj makine. Zjarri ndodhi disa ditë pasi autoritet kryen testin e përplasjes për makinën. Administrata Kombëtare mbi Sigurinë e Transportit Rrugor nuk dha hollësi mbi hetimin i cili është ende në vazhdim, por le të shohim se çfarë pasojash mund të ketë ky hetim mbi përdoruesit e makinës Volt dhe blerësit e makinave të tjera elektrike dhe si do të ndikojë ai në shitjet e ardhshme të këtyre makinave.

Një nga pronarët e parë të Chevrolet Volt në shtetin qendror të Çikagos ishte kompania Cars.com, e cila bleu makinën e re elektrike prej 40 mijë dollarësh për të provuar funksionimin e saj.

“Ne ishim ndër blerësit e parë në të gjithë vendin edhe pse Çikago nuk është një treg nismëtar. Ne i përdorëm ato gjatë dimrit, i provuam, madje i mbajtëm edhe gjatë verës dhe krijuam një përshtypje shumë të mirë mbi to.”

Redaktori ekzekutiv i kompanisë së internetit Cars.com, Joe Wiesenfelder, thotë se kompania e tij është gjithashtu një ndër pronarët e parë që përplasën makinën Volt.

“Pati shumë interes mbi atë ngjarje. Ishte ndër përdorimet e para të “qeseve të ajrit” të një Volti në rrugë, pra ne jemi nismëtarë në atë aspekt.”

Pas një riparimi të plotë, makina filloi të përdorej sërish disa javë më vonë. Zoti Wiesenfelder thotë se nuk është shfaqur asnjë problem qysh atëherë.

Por kjo nuk ishte ajo që ndodhi në rastin e përplasjes së testimit të modelit Volt të Chevrolet nga ana e Administratës Kombëtare mbi Sigurinë e Transportit Rrugor.

“Volti i cili i përplas nga autoritetet e sigurisë mori vlerësimin maksimal me pesë yje pas provës. Bateria mori zjarr tre javë më vonë.”

Zoti Wiesenfelder thotë se General Motors, kompania që prodhon makina Chevrolet, beson se zgjidhja është shkarkimi i baterisë me jone litiumi pas një përplasjeje. Por ai thotë se ka qenë e vështirë të mësohet më tepër mbi problemin.

“As administrata e sigurisë nuk po jep detaje. Ne pyetëm nëse ata po kryenin prova edhe me bateritë e makinave të tjera elektrike si Nisan Leaf por ata nuk përgjigjen.”

Sekretari amerikan i Transportit Ray LaHood tha se makina Volt, nuk është e rrezikshme për t’u përdorur, por mungesa e informacionit po prodhon spekullime mbi sigurinë e makinave elektrike, të cilat sipas zoti Wiesenfelder mund të dëmtojnë më tej shitjet jo shumë të mira të makinës Chevrolet Volt.

“Njerëzit dëgjojnë fjalët “zjarr” dhe “makinë”dhe është diçka e keqe natyrisht, por prova e kryer nuk vërteton gjë në vetvete. Ne nuk mund të dalim në përfundime mbi sigurinë apo mungesësn e sigurisë. Megjithatë, në anën tjetër, GM po mundohet të bëjë çdo gjë në mënyrën e duhur, duke thënë se ata janë një kompani ndryshe tani dhe po e bëjnë këtë duke ofruar që të marrin prapa makinat e blera me kredi. Unë mendoj se kjo po e bën problemin të duket më i madh nga se mund të jetë në të vërtetë.”

Zoti Wiesenfelder vë në dukje se nuk ka prova që të vërtetojnë se Volti, apo makina të tjera elektrike, të jenë më pak të sigurta se makinat me karburant. Drejtori i Institutit Kërkimor mbi Transportin Argonne, Don Hillenbrand është dakord.

“Makinat elektrike janë në përgjithësi më të sigurta dhe kanë më pak raste mosfunksionimi se makinat me lëndë djegëse apo makina të tjera.”

Disa nga pjesët kimike të baterisë së përdorur për makinën Chevrolet Volt u shpikën në laboratorin Argonne dhe skuadra e zotit Hillenbrand po provon efikasitetin e shpenzimit të karburantit nga ana e makinës. Ai nuk dha komente të drejtpërdrejta mbi hetimin e Administratës e Sigurisë Rrugore por tha se rezultati i atij hetimi do të ndihmojë për t’a bërë Voltin një makinë më të mirë.

“Unë nuk provoj makinat për sigurinë e tyre por për aspekte të tjera. Ne kryejmë testime për të zbuluar se si do të reagojë makina kur ti e përdor atë në limitet e mundshme dhe ne na duhet t’a dimë këtë, pasi ajo është mënyra se si ne i përmirësojmë makinat.”

Këtë vit, General Motors shiti rreth 6 mijë makina Chevrolet Volt.

XS
SM
MD
LG