Lidhje

Anija nxjerr pjesë të avionit të rrëzuar indonezian


Një anije indonesiane kërkim-shpëtimi u kthye në portin Surabaya me pjesë të avionit të kompanisë AirAsia, Airbus A320, i cili u zhduk nga ekranet e radarëve gjatë një fluturimi një javë më parë. Deri tani janë gjetur 37 trupa dhe prej tyre janë identifikuar 13.

Luftanija, Bung Tomo Asia, gjeti trupa viktimash në udhëtimin e saj një javor përgjatë brigjeve të ishullit Borneo. Ajo gjeti edhe mbetje të tilla si ndenjëse dhe pjesë nga trupi i aeroplanit, tha kapiteni i anijes Yayan Sofyan.

"Ne nxorëm dhjetë trupa gjatë operacionit njëjavor si dhe disa objekte që kanë qenë kryesisht pjesë të avionit të kompanisë Air Asia. Të gjitha objektet do t'i dorëzohen Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Transportit", tha kapiteni, duke iu referuar agjencisë kryesore që po heton shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Aeroplani me 162 udhëtarë u rrëzua në det më 28 dhjetor, rreth 40 minuta pas ngritjes nga Surabaya, qyteti i dytë më i madh i Indonezisë gjatë rrugës për në Singapor.

Deri tani janë gjetur 37 trupa dhe prej tyre janë identifikuar 13.

"Nga takimi i sotëm i rakordimit kemi identifikuar katër viktima," tha Arthur Tampi, shefi i sektorit të Mjekësisë në policinë indoneziane.

Nëntë anije nga katër vende vazhdojnë kërkimet.

Vemendja kryesore është përqendruar në zonën rreth 90 milje detare nga brigjet e ishullit Borneo, ku pesë objekte të mëdha që besohet se i përkasin avionit janë diktuar në ujërat e cekta nga anijet që përdorin hidrolokator. Më e madhja nga këto pjesë ka një gjatësi prej 18 metrash.

Dy kutitë e zeza, ose regjistruesit e fluturimit, janë të vendosur në afërsi të bishtit të avionit, por nuk është e qartë nëse kjo pjesë është ndër mbetjet e diktuara në shtratin e detit.

Agjencia meteorologjike e Indonezisë ka thënë se në rrëzimin e avionit mund të kenë ndikuar stuhitë tropikale të stinës.

Para se ekspertët të mund të analizojnë regjistruesit e fluturimit, shkaku i rrëzimit mbetet i panjohur, por kjo zonë njihet për stuhi të forta tropikale në këtë pjesë të vitit.

XS
SM
MD
LG