Lidhje

Mbrojtja ligjore falas


Avokatët të cilët ofrojnë ndihmë ligjore falas për klientët e tyre quhen zakonisht avokatë "pro bono". Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të numrit të firmave ligjore që bëjnë punë pro bono. Materiali në vazhdim shpjegon këtë prirje në rritje.

Kjo grua dëshiron të identifikohet si Linda. Ajo është 65 vjeç dhe prej një viti lufton për të marrë kujdestarinë e nipit të saj, Michael:

"Për shkak të abuzimit dhe neglizhimit të ushtruar, jam përpjekur disa herë të marr kujdestarinë e tij nëpërmjet gjykatave, por pa dobi.

Më pas, ajo gjeti Bet Tzedek, një organizatë që ofron ndihmë juridike falas për ata që nuk mund të paguajnë një avokat. Stafi i organizatës Bet Tzedek e vuri Lindën në kontakt me avokatë pro bono të një firme të madhe ligjore të cilët e përfaqësuan në këtë çështje. Pas një viti betejash ligjore, Linda fitoi kujdestarinë e Michaelit.

"Kam qenë si e hutuar për ca kohë derisa kuptova që kishte ndodhur vërtet. Më në fund kjo gjë kishte ndodhur. Tani ai është me mua. Tani unë mund të shkoj në shtëpi dhe t’i them Michael-it se ka një shtëpi."

Një numër në rritje avokatësh, shumë prej të cilëve nga firma ligjore prestigjioze, ofrojnë ndihmë falas për klientët në nevojë, thotë David Lash, i firmës O'Melveny & Myers:

"Gjatë 10 viteve të fundit është shënuar një rritje e konsiderueshme në pjesëmarrjen pro bono mes avokatëve."

Firma e avokatisë O'Melveny & Myers merret me çështje që nga korporatat deri tek e drejta e pronësisë intelektuale. Ajo ka gjithashtu një program serioz pro bono që ushtron në të gjithë botën.

"Ideja është në zhvillim dhe rritje e sipër. Po bëjmë shumë punë pro bono në zyrën tonë në Londër dhe Bruksel, por dhe avokatët tanë në Hong Kong, Singapor dhe Pekin janë duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në çështje pro bono," thotë zoti Lash.

David Lash shpenzon ditën e tij të punës duke folur me komunitetet dhe organizatat që ofrojnë ndihmë ligjore falas për të varfërit. Ai gjithashtu shqyrton rastet pro bono për firmën e tij

Sot, ai diskuton me drejtorin e organizatës Bet Tzedek, Diego Cartagena, tema: si të ofrojnë ndihmë ligjore falas për fëmijët që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga Amerika Qendrore.

"Ne parashikojmë se do të ketë qindra çështje të këtyre fëmijëve gjatë muajve të ardhshëm," thotë Cartagena.

Pas këtij takimi, zoti Lash merr pjesë në një konferencë me avokatë në një shtet tjetër për të dhënë këshilla në lidhje me çështjet ligjore me emigrantët. Më pas, ai shkon të flasë me një praktikant të ri në lidhje me punën pro bono. Zoti Lash thotë se ka shumë arsye pse firmat e avokatisë ofrojnë ndihmë ligjore falas:

"Për të qenë me të vërtetë konkurruese, firmat e mëdha ligjore duhet të kenë programe pro bono shumë aktive. Ato përbëjnë një mënyrë të paçmueshme për të trajnuar avokatë të rinj dhe janë mjete të mira rekrutimi kur jemi duke intervistuar kandidatë në shkollat kryesore."

Zoti Lash shton se t’u ofrosh njerëzve qasje në drejtësi përkon me natyrën e vetë demokracisë:

"Është një ndjenjë e mrekullueshme të përdorësh aftësitë e tua dhe profesionin tënd për të prekur jetën e dikujt në një mënyrë vërtet të thellë."

"Ata na bënë të ndiheshim të veçantë. Nuk na bënë të ndiheshim sikur ishim të tepërt," tregon Linda.

Përkundrazi, thotë ajo, "kam një ndjenjë mirënjohjeje që shkon përtej fjalëve".

XS
SM
MD
LG