Lidhje

Pas inskenimit të vrasjes së Babchenkos, pyetje dhe dilema


Rusia shprehet e çliruar që gazetari Arkadi Babchenko është shëndoshë e mirë, pas lajmeve që qarkulluan të martën për vrasjen e tij. Gazetari dhe Shërbimet Ukrainase të Sigurimit thonë se inskenuan një atentat, duke përhapur lajmin që gazetari ishte vrarë. Ata thonë se kjo sajesë ishte e nevojshme për të parandaluar një komplot për ta vrarë Babchenkon. Forcat ukrainase të rendit kanë arrestuar një person që mendohet se ishte i përfshirë në komplot. Organizata për mbrojtjen e gazetarëve e kanë kritikuar inskenimin, ndërsa Kremlini ka shprehur habi për këtë operacion.

Një konferencë për shtyp rrallë herë mund të marrë nuanca aq dramatike, sa momenti kur gazetari Arkadi Babchenko doli para kamerave, ndërkohë që po njoftohej zyrtarisht vrasja e tij.

Shërbimet Ukrainase të Sigurisë po njoftonin rrethanat e atentatit kundër Babchenkos kur në sallë u dëgjuan pasthirrma habie, pasi gazetarët panë koleguan e tyre që mendohej i vrarë, duke iu afruar podiumit me një buzëqeshje nervoze.

Babchenko dhe Shërbimet Ukrainase të Sigurisë pohuan se atentati ndaj tij ishte inskenuar nga ata vetë, për të parandaluar një komplot për vrasjen e gazetarit.

"Kam varrosur miq e kolegë shumë herë. E di sa e tmerrshme është ajo ndjenjë. Dua t’ju kërkoj ndjesë për ato që përjetuat, por nuk kishim mënyrë tjetër. Dua t’i kërkoj ndjesë bashkëshortes për tmerrin që kaloi këto dy ditë. Olechka, më fal, nuk kisha rrugë tjetër,” tha Babchenko.

Operacioni filloi pasi, siç thonë autoritetet ukrainase, ato morën informata nga një burim anonim se një shtetas ukrainas po kërkonte të blente armë për një vrasje me pagesë në Kiev. Sipas Shërbimeve Ukrainase të Sigurimit, personi kishte thënë se shërbimet sekrete ruse i kishin dhënë 40 mijë dollarë për të kryer vrasjen. Shërbimet Ukrainase të Sigurimit thanë se e kishin rekrutuar Babchenkon për të kryer operacionin, me qëllim që ta kapnin operativin rus në kuadër të aktit. Autoritetet thonë se arrestuan ndërmjetësin që po kontraktonte vrasësin në emër të shërbimeve ruse.

Skenari i zgjedhur është kritikuar nga organizata të shtypit dhe analistë të pavarur. Studiuesi Michael Carpenter thotë se një inskenim i tillë do të krijojë skepticizëm ndaj rrezikut real me të cilin ndeshen gazetarët dhe kritikët e regjimeve autokrate:

“Aspekti vertetë negativ i këtij episodi është se herën tjetër kur të ndodhë diçka tragjike, kur të vritet një disident apo gazetar, njerëzit do të jenë në mëdyshje nëse bëhet fjalë për një ngjarje reale.

Frank Sesno, profesor i komunikimit dhe gazetarisë në Universitetin George Washington, thotë se nëse shërbimet e sigurimit e kanë bindur gazetarin se kjo është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar vdekjes, ai s’kishte rrugëdalje tjetër, megjithatë, ky veprim shkel kufijtë e profesionalizmit.

“Një gazetar nuk duhet të marrë pjesë kurrë në diçka që është e sajuar, që manipulon të vërtetën; nuk e lejon profesioni ynë”.

Gazetarët Pa Kufinj e dënoi inskenimin si një akt shqetësues ku autoritetet ukrainase luajnë me të vërtetën.

41-vjeçari Arkadi Babchenko, një gazetar rus me ndikim, u vendos në Ukrainë në vitin 2016, pasi u bë objekt i një fushate përndjekjeje lidhur me raportimet e tij kritike ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe politikave të Kremlinit në Siri.

XS
SM
MD
LG