Lidhje

Bajden në Kinë, jep mesazhe të ndërvarësisë reciproke


Bajden në Kinë, jep mesazhe të ndërvarësisë reciproke
Bajden në Kinë, jep mesazhe të ndërvarësisë reciproke

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden tha sot se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të njohin reciprokisht shqetësimet dhe përgjegjësitë e tyre globale si dhe të garantojnë më shumë drejtësi në tregti dhe investime. Zoti Bajden i bëri komentet sot gjatë një vizite në qytetin Çëngdu të Kinës.

Zoti Bajden solli një mesazh të fortë të ndërvarësisë reciproke në ditën e fundit të një vizite pesë-ditore në Kinë, ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe një partnere e rëndësishme tregtare e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Bajden theksoi shkëmbimet e shpeshta mes presidentit Barak Obama dhe Presidentit kinez Hu Jintao si dhe mes zyrtarëve të dy qeverive në fushën politike dhe ekonomike.

Nënpresidenti amerikan po ashtu u përpoq të japë sigurime për 1.2 trilion dollarët që Thesari amerikan i ka borxh Kinës.

Ai tha se begatia si në Kinë edhe në Shtetet e Bashkuara janë me rëndësi kyçe për rigjallërimin e ekonomisë globale.

"Shpesh dëgjojmë të flitet për eksportet kineze në Shtetet e Bashkuara, por vitin e kaluar kompanitë amerikane eksportuan drejt Kinës mallra dhe shërbime me vlerë 110 miliardë dollarë, duke ruajtur qindra mijëra vende pune në Amerikë. Populli amerikan dhe kinez po bëhen të vetëdijshëm se është në interesin tonë të përbashkët nxitja e shkëmbimeve të tilla."

Duke folur për çështjen e lirive politike, zoti Bajden tha:

"E di se disa në Kinë mendojnë se një liri më e madhe mund të kërcënojë përparimin ekonomik duke minuar stabilitetin shoqëror. Nuk pretendoj t’i kem të gjitha përgjigjet, por besoj se historia ka treguar të kundërtën, pra se në vështrimin afatgjatë, një hapje më e madhe është burim qëndrueshmërie dhe shenjë e fuqisë”.

Nënpresidenti amerikan tha gjithashtu se në të ardhmen Shtetet e Bashkuara do të mbeten një fuqi e Paqësorit, pasi sipas tij, prania amerikane në atë rajon i ka bërë mirë qëndrueshmërisë rajonale dhe ka lejuar Kinën të përqëndrohet në zhvillimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG