Lidhje

Banka e Shqipërisë: Mungojnë 7 milionë dollarë


Banka e Shqiperise
Banka e Shqiperise

Banka e Shqipërisë njoftoi dje në mbrëmje se sasia e parave të vjedhura nga thesari saj arrijnë në 713 milion lekë, ose afër 7 milion dollarë. Banka sqaron se sipas saj procedurat dhe aktet nënligjore për ruajtjen dhe administrimin e parave janë të standarteve ndërkombëtare e po ashtu dhe teknologjia e monitorimit të mjediseve është ajo e duhura, porse vjedhja ka ndodhur sipas Bankës, vetëm si pasojë e mospërmbushjes me rigorozitet të detyrës nga ana e disa punonjësve të saj. Për ngjarjen në Bankën e Shqipërisë, ka nisur dhe një hetim i prokurorisë ndërkohë që komisioni i Ekonomisë ka thirrur sot në një seancë të posacme guvernatorin Ardian Fullani

Deklarata e mbrëmshme e Banës së Shqipërisë është e dyta për vjedhjen disa milionëshe në mjediset e Thesarit. Një javë me parë, në një tekst prej vetëm disa rreshtash, Banka njoftoi se kishte bërë kallzim ndaj dy punonjësve të saj të cilët kishin “përvetësuar vlera monetare”, dhe se “për shkak të ruajtjes së sekretit shtetëror dhe hetimor informacioni i detajuar rreth ngjarjes është i klasifikuar”.

Kallzimin ndaj dy punonjësve të saj, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, Banka tha se e kishte bërë më 21 korrik. Asaj ju deshën 8 ditë që vetëm mbrëmë të nxirrte vlerën e saktë të parave të vjedhura, plotë 713 milion lekë, ose afërsisht 7 milion dollarë, nga të cilat rreth 1.4 milion dollarë kishin qenë monedha të destinuara për t’u asgjësuar. Në deklaratën e shpërndarë mbrëmë duket se Banka përpiqet të minimizojë ngjarjen, si një episod të vecuar, ndonëse punonjësi i saj Bitraj mësohet të ketë shpjeguar se ai vidhte para periodikisht dhe se e bënte këtë prej katër vitesh.

Banka e Shqipërisë shprehet se grupet e saj të punës kanë arritur në përfundimin se

“aktet nënligjore që rregullojnë dhe disiplinojnë veprimtarinë për ruajtjen dhe administrimin e vlerave monetare në gjendje cash–i janë në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare” dhe se “procedurat e mirëpërcaktuara në këto akte garantojnë evidencë të saktë kontabël si dhe siguri fizike të vlerave monetare në ruajtje dhe në administrim”. Por pikërisht këtu duket se ka caluar gjithshka. Për katër vjet evidencat e Bankës nuk kanë të mundur të konstatojnë paratë e munguara, e po ashtu askush nuk ka mundur të dallojë punonjësin Bitrja që vazhdimisht vidhte para, ndonëse në deklaratën e saj Banka shprehet se edhe “infrastruktura teknologjike është e duhura dhe garanton monitorim të vazhdueshëm të të gjithë ambienteve ku zhvillohet aktiviteti i përpunimit të cash-it si dhe të ambienteve ku ai magazinohet”.

Sipas deklaratës së mbrëmshme, vjedhja nuk ka ndodhur në depot e thesarit, por “në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional ku kryhen veprimet e përditshme me cash-in”. Banka gjithashtu duket se kërkon të ngushtojë dhe mbyllë rrethin e përgjegjësisë të një numër i kufizuar punonjësish të saj ndërsa sqaron se “në këtë hallkë, mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre”.

Guvernatori Ardian Fullani është thirrur sot në një seancë të posacme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ndërsa mbi ngjarjen ka nisur dhe një hetim i prokurorisë, i cili deri më tani duket se ka qenë i kufizuar dhe i përqëndruar vetëm te dy punonjësit e arrestuar, ndërsa edhe për vlerësimin e vlerave të vjedhura është pritur një raport i hartuar po nga vetë Banka. Punonjësi Bitraj ka deklaruar se i ka shpenzuar paratë e vjedhura në lojra fati. Një variant që dhe për prokurorët duket se nuk është shumë bindës. Ata kanë urdhëruar verifikimin e pasurive të punonjësve të arrestuar dhe të afërmve të tyre si dhe kontrolle në Bankat e nivelit të dytë për të parë nëse ka patur transaksione financiare.

XS
SM
MD
LG