Lidhje

BSH analizon ecurinë e ekonomisë


Guvernatori Genti Sejko: “Rritja në tremujorin e parë më e lartë se parashikimi. Efekti i situatës në Greqi mund të ulë ritmin e rritjes në 6 mujorin e dytë”. Kreditë e këqija ulen me dy pikë përqindje

Në Shqipëri guvernatori i Bankës Qendrore Genti Sejko, tha sot se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit, në nivelin prej 2.8 përqind, “ishte më e lartë se pritjet tona dhe pasqyron kryesisht rritjen e investimeve dhe të eksporteve neto”. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës së Bankës, zoti Sejko u shpreh se sipas të dhënave indirekte, pritet që ekonomia të rritet me norma të ngjashme edhe gjatë tremujorit të dytë.

Megjithatë ai paralajmëroi se “Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se gjysma e dytë e vitit mund të shënojë ritme më të ngadalta rritjeje, si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi. Megjithatë, marrëveshja e arritur në muajin korrik 2015, është pikënisje për normalizimin e situatës në vendin fqinj”. Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore “efektet më të mundshme në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtar dhe të remitancave, pa cënuar aktivitetin e sistemit financiar. Si të tilla, këto efekte pritet të jenë kalimtare”, nënvizoi zoti Sejko.

Autoritetet shqiptare, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, deklaruan disa javë më parë se e kishin rishikuar në ulje rritjen ekonomike, të parashikuar në nivelet e 3 përqindshit. Ndërkohë që pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama i qëndroi objektivit fillestar, pas publikimit të të dhënave optimiste për tremujorin e parë. Guvernatori Sejko u shpreh se “ekonomia shqiptare parashikohet të ketë ritme më të larta rritjeje në dy vitet e ardhshme. Bilancet e sektorit bankar dhe privat, ambienti i jashtëm ekonomik dhe klima e përgjithshme e biznesit, pritet të përmirësohen në këtë periudhë. Këto zhvillime do të mbështesin zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe të jashtme”, shpjegoi ai.

Banka e Shqipërisë u shpreh sot e kënaqur edhe për uljen e nivelit të kredive të këqija, të cilat në fund të tremujorit të dytë zbritën në nivelin e 20.3 përqind, gati 2 pikë përqindje më pak nga tremujori i parë. Sipas guvernatorit Sejko, rënia ka ardhur “kryesisht në përgjigje të masave rregullatore që mori Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti. Ky është një sinjal inkurajues në drejtim të pastrimit të bilancit të sistemit bankar”, u shpreh ai duke shtuar se “megjithatë, sipas planit ndërinstitucional të aprovuar të masave, ai duhet të mbështetet nga përmirësime ligjore dhe nënligjore, të cilat parandalojnë rritjen e kredive me probleme dhe mundësojnë një zgjidhje të shpejtë të tyre. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje të të gjitha agjencive publike të përfshira në këtë projekt, nevojën për zbatimin e shpejtë dhe me rigorozitet të angazhimeve tona të përbashkëta”, deklaroi guvernatori Sejko.

XS
SM
MD
LG