Lidhje

Reagime ndaj sulmit në Barcelonë


Shtetet e Bashkuara e dënuan si “sulm terrorist” ngjarjen e së enjtes në Barcelonë dhe kanë ofruar ndihmë për Spanjën. Të paktën 13 njerëz u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën kur një furgon u përplas me kalimtarët në Barcelonë. Numri më i madh i vdekjeve dhe plagosjeve ishte në bulevardin Las Ramblas. Dy persona janë arrestuar lidhur me sulmin, por shoferi i furgonit është nuk është kapur ende. Grupi terrorist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se atë e kishte kryer një prej “ushtarëve të tij”, por pa dhënë prova.

Një furgon i bardhë hyri me shpejtësi në bulevardin plot kalimtarë të Barcelonës, Las Ramblas. Automjeti hyri në mesin e njerëzve, duke i masakruar ata, ndërsa të tjerë vrapuan të tmerruar. Dëshmitarët okularë e përshkruan skenën si kaotike dhe të frikshme.

"Njerëz të tmerruar duke vrapuar ku mundeshin, fytyra të gjakosura… Ishte një skenë e tmerrshme,”- thotë një dëshmitar.

Presidenti Donald Trump shkroi menjëherë një Tweet, duke e dënuar sulmin dhe ofroi ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Sulmin e dënoi edhe nënpresidenti Mike Pence, ndërsa ndohej për vizitë në Panama. Ai fajësoi “terrorizmin radikal islamik” për këtë ngjarje:

"Kushdo qoftë autori i sulmit, duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët, do t’i gjejnë dhe do t’i ndëshkojnë personat përgjegjës dhe do ta zhdukin murtajën e terrorit islamik radikal nga faqja e dheut,”- tha nënpresidenti Pence.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe u kërkoi amerikanëve që ndodhen në Spanjë të kontaktojnë njerëzit e tyre, për t’u thënë se janë mirë. Ai riktheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar terrorizmin në mbarë botën:

"Terroristët në mbarë botën duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të vendosur t’i gjejnë atje ku fshihen dhe t’i nxjerrin para drejtësisë,”- tha zoti Tillerson.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e vlerësoi solidaritetin ndërkombëtar me Barcelonën, për të cilën ai tha se pati të njëjtin fat me qytetet e tjera që janë sulmuar nga xhihadistët:

"Madridi, Parisi, Nisa, Brukseli, Berlini apo Londra, kanë përjetuar të njëjtën dhimbje dhe pasiguri, sikurse sot banorët e Barcelonës. Dua t’u shpreh atyre dashurinë dhe solidaritetin e të gjithë Spanjës dhe pjesës tjetër të botës, që janë sot pranë jush,”- tha ai.

Rajoy tha se qeveria e tij do t’i koordinojë përpjekjet për gjetjen e autorëve të krimit, do të forcojë masat e sigurisë dhe do të ndihmojnë familjet e viktimave.

Ai i bëri thirrje botës të bashkohet për të luftuar kërcënimin e terrorizmit që rrezikon drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG